Në Bosnje e Hercegovinë nisi të martën Marshi i përvitshëm i Paqes, në kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
Gjatë tri ditëve të ardhshme, mijëra pjesëmarrës do të përshkojnë rrugën që mijëra qytetarë të Srebrenicës kaluan në verën e vitit 1995, në përpjekje për të shpëtuar nga forcat serbe.
Pas një rrugëtimi prej rreth 110 kilometrash, që nisi nga fshati Nezuk, pranë Tuzllës, ata do të arrijnë në Qendrën Përkujtimore Potoçari, ku më 11 korrik shënohet 30-vjetori i masakrës.
Atë ditë, atje do të varrosen mbetjet e shtatë viktimave të masakrës që u gjetën gjatë vitit të kaluar.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.
Krimi u njoh nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës si gjenocid.
Në tri dekadat e fundit, më shumë se 50 persona u dënuan me rreth 780 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.
Në mesin e të dënuarve me burgim të përjetshëm janë presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska dhe komandanti i ushtrisë së atij entiteti, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiç.
Marshi i Paqes mbahet që nga viti 2005 dhe çdo vit numri i pjesëmarrësve rritet.
Qëllimi i kësaj ngjarjeje është të ruajë gjallë kujtimin për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë./ REL (A2 Televizion)