Ministri i RMV flet për “tërmetin Trump”, Taravari: Nëse preket Kosova vjen lufta e tretë botërore

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2025, 20:08 | Ballkani

“Nëse preket Kosova do të vijë Lufta e Tretë Botërore”. Është ky përfundimi i një analize të thelluar të publikuar nga ministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari, për ato që konsideron si zhvendosje e pllakave të mëdha tektonike në gjeopolitikën globale. Politikani e konsideron diplomacinë një art në zhdukje teksa shqyrton lëvizjet e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kaosin e Europës pas propozimeve për zgjidhje të shpejta dhe të dhimbshme, si në rastin e Ukrainës. Taravari përqendrohet më shumë në Ballkanin Perëndimor duke ngritur një alarm serioz me qëndrimin se nëse njërit prej shteteve i rrezikohet integriteti territorial, efekti domino është i pashmangshëm.

“Ballkani ka qenë gjithmonë një fuçi baruti, i cili sado i paragjykuar ose i gjykuar nga Europa Zyrtare, po të ndizet merr me vete jo vetëm këtë kontinent, por botën mbarë. Këto mosmarrëveshje të reja që po prishin krejtësisht ekuilibrat e vjetër, deri ku do të shkojnë, e si do ndikojnë ato sidomos në Kosovë?! Të gjithë aktorët që marrin pjesë në këtë ngjarje duhet ta dinë se: Nëse ndodh që të merret një vendim i padrejtë qoftë edhe për një copë të saj, Kosova do të hyjë në histori si vendi i vogël që ndezi konfliktin e madh dhe ne të gjithë do të jemi pjesë e konfliktit i cili mund të quhet edhe si Konflikti i Tretë Botëror”, tha Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë, RMV, shkruan A2 CNN.

Atë që po ndodh mes Amerikës së Donald Trumpit dhe Europës e krahason me një fund të papritur të një martese dhe kritikon reagimet emocionale të botës. Përballë teorive të shumta, spekulimeve dhe hamendësimeve, Taravari shtron pyetjen se çfarë po ndodh me botën.

“Presidenti Trump po ndryshon krejtësisht qëndrimet dhe veprimet e SHBA-ve. Këto ndryshime janë të barabarta me lëvizjen e pllakave tektonike e duke qenë se SHBA-të janë një pllakë e madhe, tërmeti ka përfshirë të gjithë dhe gjithçka”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë, RMV.

Taravari shton se në thelb të gjitha këto qëndrime të presidentit Trump po i tregojnë Europës disa të vërteta dhe duhet që t’i shërbejë për të dalë nga zona e komfortit, ose më qartë e përtacisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos