
Dy persona janë arrestuar në Serbi nën dyshimin për spiunazh, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Prokuroria e Lartë Publike në Jagodinë, në Serbinë qendrore. Prokuroria tha se dy gra janë arrestuar “nën dyshimin e bazuar” se kanë mbledhur dhe përcjellë në mënyrë të paautorizuar të dhëna lidhur me pjesëtarë aktivë të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), si dhe për angazhimin e tyre.
Në përgjigje thuhet se të dyja të arrestuarat janë shtetase të Serbisë. Njëra prej tyre ka vendbanim në Jagodinë, ndërsa tjetra në zonën e Gjilanit në Kosovë.
“Pas marrjes në pyetje të të dyshuarave, Prokuroria do të propozojë caktimin e paraburgimit për të dyja të dyshuarat”, thuhet në përgjigje.
Gjithashtu, thuhet se urdhri për nisjen e hetimeve ende nuk është nxjerrë, për shkak të së cilës, në këtë fazë të procedurës, nuk është e mundur të jepen më shumë informacione.
Më herët, mediat proqeveritare raportuan se ato dyshohen se u kanë përcjellë të dhëna për pjesëtarët aktivë të BIA-s, si dhe informacione për angazhimin e tyre, Shërbimit Shtetëror të Inteligjencës në Shqipëri (SHISH), si dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe Njësisë së Inteligjencës së Policisë së Kosovës.
Sipas këtyre raportimeve, njëra prej tyre është arrestuar në Jagodinë, ndërsa tjetra në Vranjë, në jug të Serbisë. Radio Evropa e Lirë iu drejtua për koment shërbimeve të inteligjencës së Kosovës dhe Shqipërisë./REL (A2 Televizion)