Von der Leyen: Javën e ardhshme përcaktojmë udhërrëfyesit për vendet me përparim më të madh, ku përfshihet Shqipëria

Nga A2 CNN
30 Shtator 2026, 18:23 | Politikë

Von der Leyen: Javën e ardhshme përcaktojmë

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se Shqipëria po ecën mirë me zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama.

“Shqipëria po ecën mirë sa i përket Planit të Rritjes. Keni përmbushur 80% të reformave, keni marrë 213 milionë euro fonde dhe në javët në vijim priten pagesa të tjera. Ju jeni bërë pjesë e SEPA-s. Po punojmë për uljen e tarifave roaming. Është një mundësi e mirë që njerëzit të afrohen me njëri-tjetrin", tha Von der Leyen, shkruan A2.

Më tej, Von der Leyen shtoi: “Ju po përgatiteni dhe ne po përgatitemi, pasi zgjerimi është proces me dy kahe. Për këtë arsye, javën e ardhshme do të paraqesim rishikimet e politikave tona të zgjerimit. Ne do shqyrtojmë institucionet, politikat dhe buxhetin tonë, për të bërë të mundur të jemi gati për anëtarët e rinj. Do përcaktojmë udhërrëfyesit për vendet kandidate që kanë bërë përparim më të madh. Shqipëria është një nga këto vende”.

Kur u pyet për kufizimet e të drejtave për anëtarët më të rinj të unionit, Von der Leyen u përgjigj: “Po punojmë për paketën dhe nuk mund të hyj në detaje. Traktatet e mëparshme për vendet kandidate që sot janë anëtare, kanë pasur disa lloj masash sigurie. Angazhimet që ndërmerren gjatë procesit të anëtarësimit duhet të vijojnë edhe pasi bëhesh anëtar”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos