"Autorin e kemi arrestuar" Netanyahu: Përgatituni për kërcënime të tjera ndaj Izraelit

Nga Erjon Dervishi
30 Shtator 2026, 18:02 | Bota

Ngjarja e ndodhur në bordin e avionit Fly Dubai, mund të ishte kthyer në një tragjedi të vërtetë. Kështu ka bërë me dije Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një dalje për mediat, duke dhënë edhe detaje të reja për ngjarjen. Ai tha se një pilot goditi me thikë një pilot tjetër gjatë një fluturimi nga Dubai për në Izrael dhe sipas tij u përpoq ta rrëzonte avionin.

Netanyahu tha se një pasagjer e kishte informuar se avioni hyri në një rënie të pakontrolluar dhe filloi të zbriste me shpejtësi ndërsa i afrohej Izraelit, por një pasagjer izraelit dhe një anëtar i ekuipazhit arritën të hynin në kabinën e pilotimit dhe ta neutralizonin pilotin agresor, ndërsa anëtarët e tjerë të ekuipazhit stabilizuan avionin.

"Këtë mëngjes, ndodhi një incident shumë serioz sigurie në një fluturim nga Dubai për në Izrael. Pothuajse të gjithë pasagjerët në bord ishin izraelitë. Gjatë fluturimit, ndërsa po i afroheshin vendit, njëri nga pilotët goditi me thikë pilotin tjetër; me sa duket, ai u përpoq ta rrëzonte avionin së bashku me pasagjerët. Fola me një nga pasagjerët izraelitë. Ai më tregoi se avioni hyri në një rrotullim të pakontrolluar dhe filloi të binte me shpejtësi. Më tha se, kundër çdo gjasë, arriti të hynte me forcë në kabinën e pilotit së bashku me një nga anëtarët e ekuipazhit dhe së bashku neutralizuan pilotin”, u shpreh kryeministri i Izraelit.

Netnayahu tha se një nga autorët ishte arrestuar.

“Avioni u ul i sigurt në aeroportin e Tabukut në Arabinë Saudite dhe të gjithë pasagjerët janë jashtë rrezikut. Piloti që kreu sulmin me thikë është arrestuar dhe aktualisht po merret në pyetje nga autoritetet saudite. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse për të garantuar sigurinë e vazhdueshme të pasagjerëve dhe kthimin e tyre të shpejtë në shtëpi. Kam udhëzuar strukturat e sigurisë që të përgatiten për kërcënime të tjera të mundshme”, tha Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.

Të dhënat e Flightradar24 dokumentuan se avioni kishte zbritur brenda pak minutash nga rreth 10 mijë metra në 5 mijë metra lartësi, përpara se të kryente një manovër të pazakontë pranë kufirit me Jordaninë. Raportime kontradiktore po publikohen në mediat izraelite me disa që shkruajnë se piloti ishte përpjekur të rrëzonte avionin, në një tentativë vetëvrasëse. Disa media i identifikojnë pilotët si shtetas të omanit dhe emirateve. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Jashtëm Izrael Katz, thirrën një mbledhje të sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos