Në qendrën muzeore, 60-vjetori i zbulimit të amfiteatrit të Durrësit

Nga Gazmend Janku
30 Shtator 2026, 17:55 | Kulturë

Qendra Muzeore Durrës zhvilloi mbrëmjen e djeshme një aktivitet të posaçëm me rastin e 60-vjetorit të zbulimit të Amfiteatrit të Durrësit. Një aktivitet i parë i këtij lloji kushtuar monumentit më të rëndësishëm dhe njëkohësisht më të vizituar të qytetit.

Drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj, thotë se ky përvjetor ishte edhe një mënyrë për t’i dhënë Amfiteatrit vëmendjen që meriton, gjashtë dekada pas zbulimit të tij.

Zbulimi i Amfiteatrit lidhet pazgjidhshmërisht me emrin e arkeologut dhe studiuesit Vangjel Toçi. Pas studimeve dhe kërkimeve mbi gjurmët e qytetit antik, në vitin 1966 ai nisi gërmimet që do të nxirrnin në dritë një prej monumenteve më të jashtëzakonshme të trashëgimisë shqiptare.

Arkeologu dhe studiuesi Afrim Hoti e cilëson vendimtare intuitën profesionale të Vangjel Toçit për nisjen e kërkimeve. Ai veçon gjithashtu rëndësinë shkencore të ekspeditave të përbashkëta italo-shqiptare, të zhvilluara për rreth një dekadë nën drejtimin e profesoreshës së ndjerë Sara Santoro, me gërmime të përqendruara edhe në pjesën jugore të monumentit.

Fillimet e punës në Amfiteatër i kujton edhe restauratori Nelo Lukaçi, i cili tregon se ishte pikërisht Vangjel Toçi ai që afroi pranë muzeut specialistë të fushave të ndryshme dhe krijoi ekipet që nisën punën që prej vitit 1967.

I ndërtuar në shekullin e dytë pas Krishtit, Amfiteatri i Durrësit konsiderohet monumenti më i madh i këtij lloji në Ballkan dhe ndër më të mëdhenjtë në hapësirën mesdhetare.

Gjashtëdhjetë vjet pas zbulimit, një pjesë e rëndësishme e tij vijon ende të mbetet nën ndërtime. Nxjerrja e plotë në dritë kërkon kohë, financime të konsiderueshme dhe ndërhyrje komplekse, përfshirë edhe çlirimin e hapësirave të zëna nga godinat përreth.

Zbulimi i Amfiteatrit në vitin 1966 shënoi një prej ngjarjeve më të rëndësishme të arkeologjisë shqiptare, duke hapur një kapitull të ri në studimin e Durrësit antik dhe të një historie që, edhe sot, vijon të zbulohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos