Raportuesi i përhershëm i Parlamentit Europian për Serbinë, Tonino Picula fajësoi presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, për mosrealizimin e takimeve të nivelit të lartë, gjatë vizitës së tij në Beograd. Kjo sipas tij, ishte planifikuar nga Vuçiç.
“Vendimin që kontaktet e drejtpërdrejta me mua, në emër të pushtetit, të reduktohen ekskluzivisht në bisedime në Kuvendin Popullor dhe në Ministrinë për Integrime Evropiane e mori, natyrisht, presidenti Vuçiq, pasi vetëm ai vendos për lëvizje të tilla”, tha Picula për Radio Evropa e Lirë.
Zyrtari europian shkoi në Beograd pas prezantimi të draft-raportit për Serbinë, në komisionin për politikë të jashtme të parlamentit europian, i cili u përball me kritika nga autoritetet serbe. Takimin me raportuesin e PE e refuzoi Vuçiç, i cili e quajti Piculën gënjeshtar, e po ashtu edhe kreu i grupit parlamentar.
Picula pretendon se qëndrimi negativ i qeverisë ndaj draft-raportit për situatën në vend ishte promovuar që para mbërritjes së tij. Gjatë qëndrimit të tij në Serbi, ndodhi gjithashtu një aksion policor në ambientet e disa organizatave joqeveritare në Beograd. Picula konfirmon se edhe ky element, së bashku me të gjitha përshtypjet nga vizita, do të përfshihen në vijimin e punës për raportin mbi gjendjen në Serbi. (A2 Televizion)