Bashkimi Europian përshëndet rezolutën e miratuar në OKB për gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë. Por zëdhënësi Peter Stano shmangu komentin për votën kundër saj nga vetëm njëri prej shteteve anëtare, Hungaria, duke thënë se BE-ja ka një qëndrim zyrtar për atë që ndodhi në 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Bashkimi Europian ka një qëndrim shumë të qartë për këtë çdo vit, pasi ne refuzojmë çdo mohim apo relativizim të asaj që ndodhi në Srebrenicë. Ne hedhim poshtë dhe dënojmë çdo lloj dyshimi mbi faktin se gjenocidi ka ndodhur në Srebrenicë. Ky është një fakt i vërtetuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe Bashkimi Europian nuk pranon të gjitha aktivitetet që synojnë nënçmimin, relativizimin ose mohimin.”, thotë Peter Stano.
Stano theksoi se në OKB u votua të enjten për përcaktimin e datës së përkujtimit. Më pas pati dhe një koment për kërcënimet e ekstremistit Millorad Dodik dhe planit zyrtar për ndarje të Republika Srpska nga Bosnjë dhe Hercegovina.
“Bashkimi Europian është i shqetësuar për legjislacionin dhe iniciativat në Republika Srpska që kundërshtojnë rrugën europiane të Bosnje dhe Hercegovinës, duke përfshirë retorikën separatiste dhe veprimet që vënë në dyshim rendin kushtetues të vendit. Shtetet anëtare theksuan se është e nevojshme të respektohet sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues i Bosnjës dhe Hercegovinës.”, vijon Stano.
Stano paralajmëroi pasoja serioze për shkelësit e rendit kushtetues dhe sovranitetit të Bosnje dhe Hercegovinës. (A2 Televizion)