Nicholas Abbott ka deklaruar se çështja e “non gratës” për liderin e opozitës Sali Berisha në Mbretërinë e Bashkuar mbetet në fuqi, duke theksuar se ajo nuk është një çështje politike, por ligjore.
Në një intervistë për emisionin “Off The Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, ambasadori i Britanisë së Madhe u shpreh se statusi aktual mund të ndryshojë vetëm në rast të një sfide ligjore.
A është "non grata" një çështje e mbyllur përfundimisht?
“Në Mbretërinë e Bashkuar një çështje e tillë nuk është politike, është një çështje ligjore. Pra, për sa më përket mua, vetëm nëqoftëse mund të ketë ndonjë sfidë ligjore, do të mbetet si e tillë”, deklaroi ambasadori britanik.
I pyetur nëse mund të ketë rishikime apo masa të ngjashme për politikanë të tjerë shqiptarë, Abbott dha një përgjigje më diplomatike.
“Është një pyetje që shpesh më bëhet dhe nuk e di çfarë përgjigje të jap”, tha ai.
Gjatë intervistës, ambasadori britanik u pyet nëse i dëgjon shqetësimet e opozitës dhe për raportet me Partinë Demokratike.
"Opozita në Parlament dhe partitë opozitare kanë një rol kyç për të luajtur. Në sistemin tonë flasim për opozitën besnike Opozita duhet të jetë aty për të sfiduar qeverinë, politikat e saj, dhe të sfiduar propozimet e qeverisë dhe ofrojë opsione dhe vendosur pikëpyetje. Sfida këtu shpesh herë është se opozita beson se është aty veç të bllokojë. Kjo nuk ndihmon. Ajo që Shqipëria ka nevojë është një opozitë që duhet të angazhohet dhe të ofrojë alternativa", tha ambasadori për Off The Record me Andrea Dangllin, ku shtoi se ka zgjedhur të takojë vetëm deputetë të rinj tek të cilët e sheh të ardhmen.
Sa i përket sjelljes së klasës politike shqiptare, ambasadori britanik theksoi: “Mendoj se shqetësimi im më i madh do të ishte që ndjesia ime është që shpeshherë klasa politike kapet me të kaluarën. Ata besojnë se politika mund të luhet sikundër ka qenë në të kaluarën. Vetë klasa politike është shumë e kapur në Shqipëri dhe që realiteti i botës ku jetojmë është që gjithnjë e më shumë problemet që na prekin janë përtej asaj çfarë ne shohim me sy”
Intervista e ambasadorit britanik vjen në një moment kur debati për raportet e politikës shqiptare me partnerët perëndimorë, çështjen e “non gratave” dhe të ardhmen e opozitës vijon të mbetet pjesë e fortë e diskutimit publik në vend. (A2 Televizion)