Serbia do armë amerikane? Vuçiç pret gjeneralin e NATO-s, zbut gjuhën ndaj Kosovës dhe KFOR

Nga A2 CNN
21 Qershor 2024, 20:14 | Ballkani

Serbia “zbut” gjuhën ndaj Kosovës kur në tokën e saj shkel një zyrtar i lartë Amerikan dhe i NATO-s. Presidenti Aleksandër Vuçiç njoftoi se pati një bisedë të mirë me komandantin e Komandës Ajrore Aleate të NATO-s dhe komandantin e Forcave Ajrore të SHBA-së në Europë dhe Afrikë, gjeneralin James Hecker. Temë kryesore në takimin e tyre ishte situate e sigurisë në Serbi, rajon dhe veçanërisht në Kosovë, por edhe bashkëpunimi mes NATO-s dhe Beogradit.

“Përsërita mirënjohjen time për forcat e KFOR-it, të cilat janë garantues i paqes dhe sigurisë së popullit tonë në Kosovë dhe shpreha kënaqësinë time për besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin e mirë që po zhvillohet duke respektuar neutralitetin ushtarak të Serbisë. Gjithashtu diskutuam për forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes, i cili kontribuon si në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe në përmirësimin e marrëdhënieve të përgjithshme dypalëshe të dy vendeve”, Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë.

Më herët, presidenti serb Aleksandër Vuçiç zhvilloi një bisedë telefonike me homologun francez, Emanuel Macron. Siç bën me dije përmes një postimi në intstagram, ai i ka kërkuar kreut të Elizesë t’i qëndrojë pranë Serbisë në rrugën e vështirë të paqes dhe stabiletit, siç pohon, pavarësisht të gjitha vështirësive me të cilat përballet.

Vuçiç tha gjithashtu se gjatë bisedës kishte theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së zgjidhjes së çështjeve me rëndësi, si ajo e Kosovës dhe komunitetit serb, që siç tha jeton i privuar nga të drejtat.

“Ritheksova se kjo çështje duhet të vazhdojë të zërë vend të rëndësishëm në agjendën e BE-së, me angazhim të fortë diplomatik që synon zbatimin përfundimtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë  Serbe, si bazë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe garancive të sigurisë për popullin serb”, deklaron Vuçiç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos