I moshuari hap zjarr në mes të Athinës, disa të plagosur

Nga A2 CNN
28 Prill 2026, 12:40 | Ballkani

I moshuari hap zjarr në mes të Athinës, disa të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qendrën e Athinës këtë të martë, ku një person i armatosur hapi zjarr në dy institucione publike, duke lënë disa të plagosur. Autoritetet greke konfirmuan se sulmi ndodhi fillimisht në një zyrë të sigurimeve shoqërore dhe më pas në një gjykate, përcjell A2 CNN.

Policia është vënë ne ndjekje të autorit, por pa e kapur atë. Sipas raportimeve paraprake, i dyshuari, një burrë 89-vjeçar, ishte i armatosur me një armë gjahu. Ai fillimisht hyri në ambientet e EFKA, në zonën Kerameikos, ku u ngjit në katin e katërt dhe hapi zjarr pasi i kërkoi një punonjësi të ulej. Plumbi goditi një tjetër punonjës, i cili mbeti i plagosur në këmbë.

Pas sulmit të parë, autori u largua nga vendngjarja dhe dyshohet se ka kryer një tjetër sulm në katin përdhes të një gjykate në një zonë tjetër të qendrës së Athinës. Nga ky incident u raportuan disa persona të plagosur, përcjell A2 CNN. Pamjet nga media shtetërore greke treguan ambulanca që transportonin të lënduarit drejt spitaleve.

Sipas burimeve mediatike, autori kishte hedhur në tokë disa zarfe me dokumente, duke pretenduar se ato lidhen me motivet e sulmit. Megjithatë, shkaqet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Dhuna me armë zjarri në Greqi konsiderohet relativisht e rrallë, për shkak të ligjeve të rrepta për mbajtjen e armëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos