“Shoqata Historike Ruse është arsyeja e tubimit për të gjithë ata që e shohin Serbinë si një shtet që do të luftojë pa asnjë kufizim për krijimin paqësor të botës serbe” dhe që të jetë një aleate e vërtetë e Rusisë dhe Kinës”. Kështu tha kryetari i Këshillit të degës së Beogradit të kësaj shoqërie, Aleksandar Vulin, në Asamblenë themeluese në Beograd më 26 tetor.
Vulin, lider i orientuar prorus i Lëvizjes Socialiste, ish-shef i shërbimit të inteligjencës serbe, në Asamblenë themeluese të Shoqatës Historike Ruse tha se heqja dorë nga Rusia është gjithashtu heqje dorë nga Serbia, dhe se çdo gjeneratë e popullit serb “ka pritur që mbijetesa e saj fizike të varet nga Rusia”, shkruan A2 CNN.
Ai gjithashtu theksoi se Shoqata Historike Ruse në Serbi e ka si detyrë të parë luftën kundër çdo rishikimi të historisë dhe ruajtjen e “vërtetësisë historike për popullin serb dhe atë rus”. Në Asamblenë themeluese, përveç Vulinit, ishin gjithashtu ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, si dhe kryetari i Partisë Socialiste Serbe, Goran Selak. Porfirije theksoi rëndësinë e Shoqatës Historike Ruse “në kohën e një revizionizmi të tmerrshëm historik”. (A2 Televizion)
