Parlamenti i Serbisë është përfshirë nga kaosi dhe dhuna. Deputetët e opozitës serbe hodhën granata tymuese dhe gaz lotsjellës brenda parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj politikave të qeverisë dhe mbështetjes për studentët protestues. Demonstratat e nxitura nga shembja e çatisë së një stacioni treni që vrau 15 njerëz katër muaj më parë janë shndërruar në kërcënimin më të madh për qeverinë serbe.
Në seancën legjislative, pasi koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe (SNS) miratoi rendin e ditës, disa politikanë të opozitës vrapuan nga vendet e tyre drejt kryetarit të parlamentit dhe u përleshën me rojet e sigurisë. Të tjerët hodhën granata tymi dhe gaz lotsjellës.
Kryetarja e Kuvendit. Ana Brnabiq tha se dy ligjvënës u plagosën, me një, Jasmina Obradovic nga partia SNS, që pësoi një goditje në tru dhe ndodhet në gjendje kritike. "Parlamenti do të vazhdojë të punojë dhe të mbrojë Serbinë," tha ajo në seancë.
"Ne konsiderojmë se Qeveria ka rënë. Ju nuk keni të drejtë të propozoni ligje, derisa jeni në dorëheqje. Ju duhet ta arrestoni veten dhe të mos bëni cirk", tha deputetja e Partisë për Liri dhe Drejtësi, Marinika Tepiq. Disa deputetë të opozitës në sallë mbajtën edhe fotografi me duar të përgjakura dhe pankarta ku shkruhej: "Grevë e përgjithshme", "Studentët kanë të drejtë" dhe "Mësimdhënës, jemi me ju". Ministrat dhe deputetët e koalicionit qeverisës filluan më pas të diskutojnë për pikat e rendit të ditës, ndërsa opozita i ndërpreu, duke bërë zhurmë dhe duke brohoritur.
Parlamenti do të miratonte të martën një ligj për rritjen e fondeve për universitetet - një nga kërkesat kryesore të studentëve që bllokojnë fakultetet që nga dhjetori. Parlamenti duhej të vinte në dukje gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç. Por pika të tjera të vendosura në rendin e ditës nga koalicioni qeverisës zemëruan opozitën. (A2 Televizion)