Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, shtetasit rusë të cilët duan të shmangin rekrutimin në ushtri ose janë kundër politikave të Vladimir Putinit, kanë ndërtuar një komunitet të rëndësishëm në Beograd, kryeqytetin e Serbisë.
Edhe pse numri i atyre që kanë zgjedhur shtetin në më prorus në Ballkan për t’u “strehuar” është i vogël në krahasim me Gjermaninë apo shtete të tjera të mëdha, Reuters raporton se prania e tyre në Beograd ndihet më shumë për shkak se vendasit janë më pak se 2 milionë.
Ata kanë ngritur klube dhe kafene, kopshte për fëmijë por edhe klinika mjekësore. Rusët i blejnë ushqimet në dyqanet ruse, blejnë marka ruse, këngëtarët dhe komedianët argëtojnë publikun në lokale ruse dhe artistët i shfaqin veprat e tyre në galeri arti në pronësi të shtetasve rusë, shkruan A2 CNN.
Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Brendshme serbe, mes shkurtit 2022 dhe mesit të vitit 2023, më shumë se 30 mijë rusë kërkuan rezidencë të përkohshme në Serbi. Sipas Retuers, pavarësisht se nuk janë botuar shifra krahasuese me periudhën para luftës, numri ka pësuar rritje të theksuar.
Të dhënat tregojnë se gjatë kësaj periudhë, rusët kanë ngritur mbi 11 mijë biznese në sektorë të ndryshëm, nga kompanitë e shërbimit të internetit, hoteleri dhe shkolla sportive.
Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë kanë qenë historikisht të ngushta dhe vijojnë të mbeten edhe sot, ku nuk mungojnë as etiketimet vëllazërore për njëri-tjetrin. Edhe pse është shtet kandidat për në Bashkimin Europian, Serbia nuk ka pranuar të miratojë sanksione kundër Rusisë, njëlloj si BE apo shtetet e tjera të rajonit, si Shqipëria apo Kosova.
Ironikisht, qëndrimet e shumë prej rusëve të cilët janë larguar nga Putini bien ndesh me ato të serbëve vendas, të cilët shohin te presidenti rus një udhëheqës botëror dhe një mbrojtës të Serbisë. (A2 Televizion)