Përplasja Rama-Veliaj, Këlliçi: Mund të jetë marrëveshje e të dyve për ta lehtësuar në Strasburg

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2026, 20:21 | Politikë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur dyshime se përplasja e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje mes tyre, me synimin për t’i dhënë çështjes së këtij të fundit karakter politik dhe për ta favorizuar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Këlliçi deklaroi se çështja ndaj Veliajt është thellësisht korruptive, por sipas tij, ekziston mundësia që përplasja mes dy figurave të mazhorancës të synojë zhvendosjen e vëmendjes drejt dimensionit politik.

“Ekziston edhe mundësia që kjo të jetë një marrëveshje e të dyve për të përfituar politikisht dhe për t’i dhënë ngarkesë politike kësaj çështjeje që është thellësisht korruptive, për t’i dhënë nuanca politike dhe për ta lehtësuar në Strasburg”, u shpreh Këlliçi.

Megjithatë, demokrati theksoi se, pavarësisht dyshimeve të tij, garantimi i të drejtave themelore të Veliajt gjatë qëndrimit në burg duhet të jetë një çështje që ngre shqetësim për të gjithë.

"Por për hir të të vërtetës, nëse atij nuk i garantohen të drejtat e tij minimale, të drejtat e tij themelore, si i burgosur, dhe si një qytetar i Republikës së Shqipërisë, patjetër kjo do të duhet të ishte një kambanë alarmi për të gjithë. Duhet të themi të vërtetën”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos