Gazetari Lavdërim Lita ka komentuar situatën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në burgun e Fierit, duke deklaruar se ai po përballet me pasojat e sjelljes së tij politike ndër vite, veçanërisht ndaj qytetarëve të kryeqytetit.
I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Lita përmendi shkarkimin e rreth 400 punonjësve në ditën e Vitit të Ri 2017, si dhe rastet kur, kryebashkiaku u merrte produktet shitëseve ambulante nga periferia.
“Erion Veliaj po shpagon të gjithë sjelljen e tij politike, në radhë të parë ndaj qytetarëve të Tiranës, që ua ka nxirë jetën. Ka shkarkuar rreth 400 veta ditën e Vitit të Ri, më 2017-ën. Ai njeri që u merrte tufat e perimeve nënave të periferisë dhe ne po ankohemi për të drejtat e njeriut të Erion Veliajt në raport me Edi Ramën, që është bërë drejtor burgu, që është zhvendosur nga një qeli në tjetrën. Erion Veliaj e ka merituar dhe meriton më shumë se kaq në përballjen me ligjin dhe drejtësinë”. (A2 Televizion)