Vuçeviç kërkesë FBI dhe FSB: Hetoni pretendimet për përdorimin e topave zanorë

Nga Rosalba Bejdo
19 Mars 2025, 20:15 | Ballkani

Serbia kërkon zyrtarisht angazhimin e FBI amerikane dhe FSB rusë, në hetimet për zbardhjen e përdorimit ose jo të topit zanor në protestën madhështore te 15 marsit në Beograd.

Kryeministri i dorëhequr Millosh Vuçeviç, tha se përmes ambasadave serbe në Uashington dhe Moskë u ka dërguar kërkesat shërbimeve të sigurisë së këtyre vendeve.

“Me përgjegjësinë më të madhe mund të them se, më 15 mars, në asnjë lokacion, nuk është përdorur topi zanor apo diçka e ngjashme. Asnjë urdhër nuk është lëshuar për të dhe askush nuk e ka parë atë pajisje. Është e pamundur të mos ketë lëndime shëndetësore në momentin që përdoret ajo pajisje. Ajo shkakton pasoja të menjëhershme”, tha Millosh Vuçeviç.

Më herët, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se ministri Ivica Daçiq i ka dërguar një letër drejtorit të FBI-së, Kash Patel, duke e ftuar të ndihmojë më ekspertizë në fushën e përdorimit të pajisjeve që lëshojnë valë zanore.

Siç thuhet, kërkesa u bë duke marrë parasysh se Ministria e Brendshme është përballur me akuza publike dhe mediatike, se anëtarët e saj kanë përdorur ‘top zanor’ gjatë një mitingu publik, të mbajtur në Beograd më 15 mars.

Daçiç tha për portalin “Danas” se policia posedon armë sonike, ose “topa zanorë”, dhe se këto sisteme, të cilat janë blerë në vitin 2021, janë në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Paraprakisht, zyrtarë të lartë shtetërorë të Serbisë këmbëngulën se as policia dhe as ushtria nuk posedojnë “topa zanorë”. Kjo është një armë jo-vdekjeprurëse që lëshon valë të forta zanore në një drejtim të caktuar dhe mund të shkaktojë çorientim, dhimbje koke dhe të përziera tek të prekurit, por në varësi të intensitetit dhe kohëzgjatjes së emetimit, dëmtimi i përhershëm i dëgjimit është një pasojë e mundshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos