Për më shumë se një dekadë, një emër ka dominuar politikën serbe: Aleksandar Vuçiç. Njeriu që kaloi nga nacionalisti flaktë në partner të Perëndimit, pa hequr dorë kurrë nga lidhjet me Moskën dhe Pekinin. Lideri që premtoi modernizim dhe zhvillim ekonomik, por që sot përballet me protestat më të mëdha që nga rrëzimi i Sllobodan Millosheviçit. Tani ai ka njoftuar se do të largohet nga posti i presidentit. Por a po largohet vërtet nga pushteti, apo thjesht po ndryshon karrigen?
Vuçiç hyri në politikë në vitet ’90, në periudhën më të errët të Serbisë moderne. Jurist me profesion, ai u bë ministër i Informacionit në qeverinë e Sllobodan Millosheviçit, pikërisht gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Ishte periudha kur mediat kritike mbylleshin, gazetarët ndëshkoheshin dhe propaganda shtetërore dominonte hapësirën publike.
Pak vite më vonë, si drejtues i Partisë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit, Vuçiç ishte një nga zërat më të fortë të nacionalizmit serb. Pamjet e asaj kohe e tregojnë duke kënduar këngë nacionaliste dhe duke mbrojtur idenë e “Serbisë së Madhe”, ideologji që ushqeu luftërat e përgjakshme të ish-Jugosllavisë. Por politika serbe do të ndryshonte. Edhe Aleksandar Vuçiç.
Në vitin 2014 ai fiton zgjedhjet dhe bëhet kryeministër. Në atë kohë Serbia kishte nisur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Vuçiç paraqitej si reformatori i ri që do ta çonte vendin drejt Brukselit. Megjithatë, ai nuk hoqi dorë nga partneriteti tradicional me Rusinë. Vetëm pak muaj pasi mori detyrën, në Beograd mbërriti Vladimir Putin. Presidenti rus u prit me nderime ushtarake dhe paradë madhështore – pamje që dëshmonin se Serbia nuk kishte ndërmend të zgjidhte vetëm një kamp.
Në të njëjtin vit ndodhi edhe një nga përplasjet më të forta diplomatike me Shqipërinë. Vizita historike e kryeministrit Edi Rama në Beograd, e para e një lideri shqiptar pas gati shtatë dekadash, u shndërrua në debat publik për Kosovën.
“ Nuk prisja që kryeministri Rama të provokonte duke folur për Kosovën. Sipas Kushtetutës sonë, Kosova është pjesë e Serbisë dhe askush nuk do ta poshtërojë Serbinë në Beograd.”, tha Vuçiç.
Një vit më vonë, Vuçiç do të përballej me një tjetër moment simbolik. Ai mori pjesë në ceremoninë e 20-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, por ceremonia u kthye në kaos. Familjarët e viktimave dhe të pranishmit e pritën me fishkëllima, gurë dhe shishe. Vuçiç u detyrua të largohej me nxitim – një kujtesë se e kaluara e tij nacionaliste vazhdonte ta ndiqte.
Në vitin 2017 ai zgjidhet president i Serbisë. Edhe pse posti konsiderohet kryesisht ceremonial, pushteti real mbeti në duart e tij. Ai emëron Ana Brnabiç si kryeministren e parë grua dhe hapur homoseksuale në historinë e Serbisë, por askush nuk kishte dyshim se vendimet vazhdonin të merreshin nga Vuçiç.
Ndërkohë, ekonomia serbe nisi të rritej. Papunësia ra ndjeshëm, ndërsa investimet e huaja u shumëfishuan. Kompani kineze blenë miniera, uzina çeliku dhe investuan miliarda euro në infrastrukturë. Vuçiç e paraqiti këtë si provë të suksesit të modelit të tij politik, por kritikët flisnin për një realitet tjetër: kapjen e institucioneve, kontrollin mbi mediat dhe dobësimin e demokracisë. Në fund të vitit 2018 shpërthyen protestat e para masive, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë me sloganin “Një nga pesë milionë”, pasi Vuçiç kishte deklaruar se nuk do të dorëzohej edhe sikur pesë milionë njerëz të protestonin kundër tij.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, Vuçiç u gjend përballë dilemës më të madhe të karrierës së tij. Serbia dënoi agresionin rus në OKB, por refuzoi të vendoste sanksione ndaj Moskës. Fluturimet drejt Rusisë vazhduan, ndërsa në rrugët e Beogradit marshonin qytetarë me flamuj rusë. Vuçiç vazhdoi politikën e balancimit: takonte Macronin e Scholzin, por njëkohësisht priste Xi Jinpingun dhe ruante marrëdhënie të ngushta me Kremlinin.
“Serbia është në rrugën europiane, por dëshiron të ruajë miqësinë tradicionale me Kinën dhe Federatën Ruse. Për shumëkënd ky pozicion është i pamundur, por ky është interesi ynë.”, tha Vuçiç.
Në raport me Kosovën, Vuçiç pranoi dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe zhvilloi disa takime me kryeministrin Albin Kurti. Megjithatë, procesi stagnoi sepse Serbia refuzoi nënshkrimin dhe zbatimin e pikave kyçe të Marrëveshjes së Ohrit që lidheshin me njohjen de facto.
Përpjekjet për normalizim morën goditjen më të rëndë pas sulmit paramilitar në Banjskë të Zveçanit, i marrë përsipër nga Milan Radoiçiç, bashkëpunëtor i afërt i Vuçiçit. Pavarësisht fletëarrestit të Interpol-it dhe kërkesave të prera të BE-së, Vuçiç i ofroi Radoiçiçit mbrojtje nga shteti serb, duke refuzuar ta ndjekë penalisht.
Retorika e tij ndaj Kosovës u ashpërsua edhe më tej përmes promovimit të konceptit të “Botës Serbe” – një rikthim i ideve të viteve ’90 me ambalazh të ri. Sa herë që përballej me kriza të brendshme, Vuçiç përdorte Kosovën si mjet shpërqendrimi: akuzonte Prishtinën për “spastrim etnik” dhe ngrinte vazhdimisht gatishmërinë luftarake të ushtrisë në kufi. Paralelisht me këtë retorikë kërcënuese, ai nisi një armatosje masive të Serbisë me sisteme kineze, ruse dhe avionë ushtarakë francezë, duke ngjallur shqetësime serioze te fqinjët dhe Perëndimi për destabilizimin e rajonit.
Në fund të vitit 2023, Vuçiç shpalli një tjetër fitore zgjedhore, por menjëherë shpërthyen protesta ku opozita e akuzoi për manipulim. Goditja më e madhe politike erdhi në nëntor të vitit 2024, kur shembja e strehës prej betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit vrau 16 persona.
Ngjarja u bë simbol i korrupsionit shtetëror dhe mungesës së kontrollit. Qindra mijëra serbë dolën në demonstratat më të mëdha që nga rrëzimi i Millosheviçit, ndërsa organizatat ndërkombëtare akuzuan autoritetet për dhunë ndaj protestuesve dhe shtypje të medias.
“Ne arritëm të ndryshojmë fytyrën e Serbisë, pavarësisht presioneve të vazhdueshme nga jashtë dhe nga brenda.”, tha Vuçiç.
Sot, pas më shumë se 12 vitesh në krye të shtetit, Aleksandar Vuçiç thotë se do të largohet nga presidenca. Por pak besojnë se ai po braktis pushtetin. Analistët presin që ai të rikthehet në krye të Partisë Progresiste Serbe dhe të synojë postin e kryeministrit, duke përsëritur formulën e tij të njohur të kontrollit absolut.
Prandaj pyetja nuk është nëse po përfundon epoka e Vuçiçit, por nëse Serbia është gati të hyjë në një epokë pa të.
Sepse për më shumë se një dekadë, Aleksandar Vuçiç nuk ka qenë thjesht presidenti i Serbisë. Ai ka qenë vetë sistemi politik serb.
(A2 Televizion)