
Ushtria izraelite deklaron se ka shkatërruar një kompleks të madh nëntokësor të Hezbollahut në jug të Libanit, duke përdorur më shumë se 1 mijë tonë eksploziv.
Sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), objektivi përfshinte dy tunele me gjatësi mbi 2 kilometra, të ndërtuara nën kreshtën Ali Taher. Shpërthimi shkaktoi lëkundje të forta, të cilat u ndjenë edhe në zonat përreth.
IDF tha se kompleksi përfshinte një qendër komande të përdorur nga njësia Badr e Hezbollahut, si dhe raketa, dronë, armë antitank, mina dhe eksplozivë.
Pamjet e publikuara nga ushtria izraelite tregojnë një shpërthim të fuqishëm që ndriçoi qiellin mbi zonë. Banorët e zonave përreth raportuan se ndërtesat u tronditën nga shpërthimi dhe se shumë njerëz u larguan nga zona.
Sipas ushtrisë izraelite, shkatërrimi i këtij kompleksi është pjesë e një operacioni më të gjerë për eliminimin e infrastrukturës nëntokësore të Hezbollahut dhe krijimin e një zone sigurie pranë kufirit me Libanin.
Hezbollahu dhe autoritetet libaneze nuk kanë bërë deri tani një reagim publik lidhur me pretendimet e ushtrisë izraelite. (A2 Televizion)