“Vuçiç po tolerohet”, armët për Ukrainën dhe litumi, si po ndryshon loja

Nga Ideal Gola
19 Korrik 2024, 20:12 | Ballkani

Litiumi dhe dërgimi i armëve për Ukrainë përmes vendeve të treta, për njohësit e zhvillimeve politike e të sigurisë në Kosovë, është arsyeja se pse Serbia dhe presidenti i saj Aleksandër Vuçiç është toleruar nga Perëndimi.

Marrëveshja e firmosura gjatë së premtes mes Serbisë e Bashkimit Evropian për partneritet strategjik në lëndët e para të qëndrueshme pritet të ketë ndikim në raportet e Beogradit me Prishtinën.

“Vizita e z.Scholz lidhur me kontratën e mundshme për shfrytëzimin e litiumit është një pikë kthese mes raporteve të Serbisë dhe vendit kryesor të Bashkimit Evropian, Gjermanisë, dhe natyrshëm që do ta ketë impaktin e vet edhe në raportet Kosovë-Serbi. Nuk po themi që kjo do të ketë pasoja negative në parim për Kosovën dhe nuk është e dizajnuar si e tillë, është një interes ekonomik i dy vendeve, por që do të ketë impakt padiskutim”, tha Valdet Hoxha, Ish-Zv/Ministër i Brendshëm.

Përpos litiumit, kohë më parë “Financial Times” raportoi se në dy vite luftë, Serbia ka furnizuar Ukrainën me gati 1 miliard euro municion.

Kjo ka bërë që në një panoramë më të gjerë Vuçiç të mos ndëshkohet për veprimet e tij destabilizuese në Kosovë.

“Është pikërisht kjo politikë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic dhe Beogradit, dërgimi i armëve në Ukrainë përmes vendeve të treta dhe është toleruar përballë këtyre veprimeve dhe po ashtu mos vendosjes së sanksioneve nga ana e Serbië për Rusinë”, shtoi Fidan Ukaj, Politolog.

Përballë një situate të re, me Serbinë që shihet si vend strategjik nga Perëndimi, Kosovës i kërkohet të tregohet e zgjuar në lëvizjet e saj.

“Institucionet e vendit tonë duhet të jenë shumë të kujdesshme, shumë syçelë, që t’i ruajmë raportet me partnerët ndërkombëtarë, t’i avancojnë edhe më tej sepse jemi në një situatë ku ka ndërruar gjeopolitika”, vijoi Hoxha.

Pikërisht për çështjen e litiumit, kancelari gjerman Olaf Scholz qëndroi në Beograd ku pati takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos