Zyra e kryespiunit të Putinit në Serbi, puna e re e Vulin në organizatën e inteligjencës së Rusisë

Nga A2 CNN
17 Qershor 2025, 19:59 | Ballkani

Rusia nuk lë pa punë “ushtarin” apo “agjentin” e saj në Serbi. Radio Evropa e Lirë raporton se Shoqëria Historike Ruse (RIO), e themeluar nga Akademia e Shkencave e Rusisë dhe disa media shtetërore në atë vend, njoftoi se do të hapë një zyrë në Serbi dhe se në krye të Këshillit të Përfaqësisë do të jetë Aleksandër Vulin, ish-shef i shërbimit sekret të Serbisë.

Organizata ruse udhëhiqet nga Sergei Naryshkin, drejtor i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse. Vulin dhe Naryshkin janë takuar disa herë pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

Në të njëjtin event ku u bë njoftimi, kryespiuni i Putinit, nënvizoi se “bota po hyn në një epokë të re ndryshimesh globale”: "Para syve tanë, bota po përjeton një transformim të thellë gjeopolitik.

Një rend botëror shumëpolar po formohet vazhdimisht, po shfaqen qendra të reja pushteti, që përfaqësojnë interesat e shumicës globale.

Gjithnjë e më shumë vende po zgjedhin zhvillimin vërtet të lirë dhe sovran, duke hedhur poshtë dogmat totalitare-liberale dhe duke gjetur mbështetje të fortë në vlerat tradicionale”, vuri në dukje Sergei Naryshkin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos