
Autoritetet ushtarake indoneziane thanë të mërkurën se kanë arrestuar katër oficerë të dyshuar për përfshirje në një sulm me acid ndaj një aktivisti të njohur për kundërshtimin e tij ndaj zgjerimit të rolit të ushtrisë në jetën civile.
Andrie Yunus, zëvendëskoordinator në Komisionin për Personat e Zhdukur dhe Viktimat e Dhunës, një organizatë e të drejtave të njeriut e njohur si KontraS, pësoi djegie në 20% të fytyrës dhe trupit nga acidi i hedhur nga sulmues me motor më 12 mars.
Autorët e dyshuar ishin pjesëtarë të një njësie inteligjence që i përket ushtrisë, tha gjeneralmajori Yusri Nuryanto, komandant i Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Indonezisë, duke shtuar se ata vinin gjithashtu nga Marina dhe Forcat Ajrore. “Tashmë i kemi marrë katër të dyshuarit në paraburgim në selinë e policisë ushtarake dhe po zhvillojmë një hetim të plotë,” u tha ai gazetarëve.
Që kur presidenti Prabowo Subianto mori detyrën pas një fitoreje dërrmuese në zgjedhjet e vitit 2024, grupet e të drejtave të njeriut dhe studentët kanë shprehur shqetësim për përdorimin e ushtrisë në zbatimin e politikave të tij, gjë që shkaktoi trazira në mbarë vendin në gusht të vitit të kaluar.
Aktivisti u sulmua pasi kishte regjistruar një episod podcast-i mbi rolin në rritje të ushtrisë në politikën indoneziane. Yusri tha se autoritetet po hetojnë aktualisht çdo motiv të mundshëm që mund të kenë pasur katër të dyshuarit për sulmin, përfshirë mundësinë që ai të jetë kryer me urdhër nga eprorët e tyre. Të dyshuarit do t’i nënshtrohen hetimit nga policia ushtarake dhe do të përballen me një gjyq ushtarak për akuza të sulmit të rëndë, që mund të sjellin dënime deri në shtatë vjet burg, shtoi ai.
Ai nuk i identifikoi katër të dyshuarit me emrat e plotë, duke dhënë vetëm inicialet dhe gradat e tyre: kapiten, toger i parë dhe rreshter i dytë. Në një konferencë të veçantë për shtyp, shefi i Policisë së Jakartës, Asep Edi Suheri, konfirmoi se katër të dyshuar janë akuzuar për përfshirje në sulm.
Një zyrtar tjetër policie, Iman Imanuddin, tha se mund të kenë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë.
Alghifari Aqsa, një avokat që përfaqëson Yunus, ngriti pikëpyetje mbi transparencën e hetimit dhe i bëri thirrje qeverisë të krijojë një ekip të pavarur për zbardhjen e fakteve, për të zbuluar “operacionin e madh” që qëndron pas sulmit.
“Ne duam që autoritetet të gjejnë organizatorët dhe personat që financojnë këtë operacion,” tha Aqsa. (A2 Televizion)