Sulm me raketa mbi Teheran, viktima dhe ndërprerje gazi. Irani paralajmëron hakmarrje shkatërruese

Nga A2 CNN
6 Prill 2026, 07:38 | Bota

Sulm me raketa mbi Teheran, viktima dhe ndërprerje gazi. Irani

Një sulm me raketa ka goditur Universitetin e Teknologjisë Sharif në Iran, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me gaz në disa zona të kryeqytetit iranian, Teheran.

Sipas raportimeve të mediave, disa pjesë të universitetit, përfshirë ndërtesën e qendrës së teknologjisë dhe xhaminë e kampusit, janë dëmtuar. Pamjet e publikuara në internet tregojnë re të dendura tymi që ngrihen mbi zonat e goditura në kryeqytet. Kryetari i bashkisë së zonës ku ndodhet universiteti deklaroi se furnizimi me gaz është ndërprerë përkohësisht për shkak të sulmit.

Ndërkohë një tjetër sulm ajror në Teheran ndaj një ndërtese banimi ka shkaktuar 13 viktima.

Mediat iraniane raportojnë se gjashtë fëmijë nën 10 vjeç u vranë në provincën e Teheranit pas sulmeve amerikane dhe izraelite të natës së kaluar.

Që nga nisja e luftës, disa universitete në Iran janë goditur, përfshirë Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Teheran dhe Universitetin Shahid Beheshti.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket se ka zgjatur afatin që i ka vendosur Iranit për rihapjen e Strait of Hormuz, duke paralajmëruar me tone të ashpra për sulme ndaj urave dhe centraleve energjetike.

Irani ka paralajmëruar për hakmarrje "shumë më shkatërruese" nëse SHBA-të dhe Izraeli do të sulmojnë objektiva civile.

"Nëse sulmet ndaj objektivave civilë përsëriten, fazat e ardhshme të operacioneve tona ofensive dhe hakmarrëse do të jenë shumë më shkatërruese dhe të përhapura gjerësisht", thuhet në një deklaratë nga një zëdhënës i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya - njësia më e lartë komanduese ushtarake operative e Iranit. Deklarata u botua nga Transmetimi i Republikës Islamike të Iranit (IRIB).

Kjo vjen pasi presidenti amerikan kërcënoi me sulme ndaj termocentraleve dhe urave iraniane nëse Irani nuk arrin të përmbushë afatin e tij të së martës për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos