Kërcënime hibride në Itali, Crosetto: Duhet një armë kibernetike me 5 mijë ushtarë

Nga Rosalba Bejdo
18 Nëntor 2026, 18:09 | Bota

Në Itali është shtuar shqetësimi për sulmet hibride dhe kërcënimet me lëndë eksplozive. Përballë këtij rreziku, qeveria italiane duhet të reagojë menjëherë, duke vepruar në dy drejtime: krijimin e një force të re kibernetike që do të veprojë 24 orë në 24, me 5 mijë specialistë, si dhe ngritjen e një qendre kombëtare dhe europiane kundër luftës hibride dhe dezinformimit.

Këto janë propozimet e bëra nga ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, gjatë raportimit të tij në Dhomën e Deputetëve, ku foli për shqetësimet e sigurisë pas kërcënimeve me bomba në shkolla, të cilat goditën Italinë një javë më parë.

Crosetto foli në Parlament përpara një salle gjysmë të zbrazët.

Gjatë raportimit, ministri iu referua fillimisht kërcënimeve me bomba në shkolla, të cilat detyruan mijëra nxënës të evakuoheshin.

“Mjaftoi vetëm një email për të krijuar kaos”, u shpreh Crosetto para deputetëve. Ai kujtoi gjithashtu se lufta informative është shfaqur edhe përmes paralajmërimeve për avionë civilë të shoqëruar nga avionë luftarakë, përfshirë edhe ata italianë.

Ndër propozimet kryesore të ministrit është krijimi i një hapësire mbrojtëse kibernetike, si dhe ngritja e një force të posaçme kibernetike, e cila synon të arrijë në 5 mijë specialistë me kapacitet të plotë operacional dhe paga konkurruese.

Një tjetër propozim është krijimi i një qendre europiane për t'u përballur me kërcënimet hibride dhe dezinformimin.

“Qëllimi është europian, por nëse Europa është e ngadaltë, Italia mund dhe duhet të fillojë e vetme”, deklaroi Crosetto.

Ministri i Mbrojtjes mohoi gjithashtu pretendimet për shkurtime të fondeve për sigurinë kibernetike ndër vite. Ai bëri me dije se financimi për luftën kundër kërcënimeve hibride arrin në 2 miliardë euro për periudhën 2026-2028, ndërsa njoftoi 6 miliardë euro financime për sektorin në vitet e ardhshme, krahas 7 miliardë eurove të parashikuara për programin e avionëve luftarakë GCAP.

Crosetto e lidhi përballjen me kërcënimet hibride dhe luftën kibernetike edhe me nevojën për rritjen e investimeve në mbrojtje gjatë viteve të ardhshme.

“Ne duhet të përshpejtojmë”, u shpreh ai, duke shtuar se “ka vetëm një luftë” dhe se një nga synimet e atyre që sulmojnë është të bindin vendet se investimet në këto fusha nuk janë më të nevojshme.

“Nëse kufizohemi vetëm në mbrojtjen e vetes, ne tashmë kemi humbur”, përfundoi ministri italian i Mbrojtjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos