Goditet ishulli “Qeshm”, Trump urdhëron sulmin ndaj Iranit nga Filipinet

Nga Erjon Dervishi
18 Nëntor 2026, 18:17 | Bota

Goditet ishulli “Qeshm”, Trump urdhëron sulmin ndaj Iranit nga

Avionët luftarakë amerikanë kryen sulme të reja “vetëmbrojtëse” kundër Iranit. Ushtria amerikane përdori municione precize për të goditur një pozicion iranian për lëshimin e raketave në ishullin Qeshm.

Sulmi “ishte në përgjigje të agresionit të IRGC-së, që synonte personelin dhe asetet amerikane”, deklaroi një zyrtar amerikan, duke theksuar se Komanda Qendrore e SHBA-së mbetet “shumë vigjilente dhe plotësisht e përgatitur për të mbrojtur amerikanët në të gjithë rajonin”.

Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan se një zonë në periferi të një qyteti në ishullin Qeshm ishte shënjestruar në një “sulm armik”.

Sulmet e së martës ngjajnë me ato të kryera gjatë javëve të fundit në zonën përreth Ngushticës së Hormuzit, të cilat zyrtarët amerikanë i kanë cilësuar gjithashtu si veprime mbrojtëse, dhe jo si një përshkallëzim të ndjeshëm të ndërhyrjes ushtarake amerikane.

Ndërkohë, dy aleatë të SHBA-së në Gjirin Persik deklaruan se kishin zmbrapsur sulme të tjera.

Ushtria e Kuvajtit njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore po reagonin ndaj “sulmeve armiqësore me dronë” në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Deri më tani nuk ka detaje mbi origjinën e dronëve, objektivat e tyre apo nëse sulmet kanë shkaktuar dëme materiale ose viktima.

Nga ana tjetër, ushtria iraniane deklaroi se kishte shënjestruar forcat amerikane në Bazën Ajrore Ali Al Salem, sipas medias shtetërore Press TV.

Edhe në Bahreinin fqinj u dëgjuan sirenat, ndërsa ushtria njoftoi se kishte interceptuar “një numër sulmesh ajrore iraniane” në orët e para të së mërkurës.

Bahreini është përballur me disa sulme iraniane gjatë javës së fundit. Ushtria e mbretërisë akuzoi Republikën Islamike për organizimin e tyre, duke deklaruar se “Irani vazhdon qasjen e tij sistematike armiqësore përmes sulmeve të tij kriminale që synojnë Mbretërinë e Bahreinit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos