Atentat në Lviv, Rusia i vë flakën Kievit, sulme shkatërruese në Ukraine

Nga Xhevahir Qardaku
22 Shkurt 2026, 13:42 | Bota

Ukraina u zgjua të dielën në flakë. Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se gjatë natës Rusia ka lëshuar mbi gjithë vendin e tij, rreth 300 dronë dhe 50 raketa të llojeve të ndryshme.

Sulmet kanë goditur Kievin dhe rajonin përreth, si edhe zonat e Dnipros, Kirovohradit, Mykolaivit, Odesës, Poltavës dhe Sumyt. Sipas Zelensky-t, objektivi kryesor i këtyre sulmeve ishte sektori energjetik. Një person u vra në distriktin Fastiv, ndërsa të paktën tetë të tjerë, përfshirë një fëmijë, u plagosën.

Janë raportuar dëme edhe në ndërtesa banimi dhe në infrastrukturën hekurudhore. Në Lviv, autoritetet konfirmuan një atentat me mjete shpërthyese, ku mbeti e vrarë një agjente policie 23-vjeçare dhe u plagosën 24 persona. Zelensky deklaroi se një person i dyshuar për sulmin është arrestuar dhe hetimet po vazhdojnë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Kremlinit Kirill Dmitriev tha se paqja mund të arrihet përmes dialogut, duke vlerësuar përpjekjet e ndërmjetësimit amerikan. I dërguari amerikan Steve Witkoff njoftoi se një raund i ri negociatash mes Ukrainës dhe Rusisë mund të zhvillohet brenda tre javësh.

Ndërkohë, autoritetet ruse raportuan se kanë rrëzuar dhjetëra dronë ukrainas mbi territorin e tyre. Zhvillimet ndodhin vetëm pak ditë para përvjetorit të katërt të nisjes së luftë së Rusisë kundër Ukrainës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos