Atentat në Moskë, vritet gjenerali rus

Nga A2 CNN
25 Prill 2025, 12:48 | Bota

Atentat në Moskë, vritet gjenerali rus

Gjenerali rus Yaroslav Moskalik, zëvendësdrejtor i departamentit kryesor operativ në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë ruse, është vrarë në një shpërthim makine në periferi lindore të Moskës, në Balashikha, shkruan A2 CNN. Komiteti Hetimor i Rusisë konfirmoi zyrtarisht vdekjen e tij, duke theksuar se shpërthimi ishte shkaktuar nga një mjet shpërthyes artizanal i mbushur me predha, i vendosur në një veturë tip Volkswagen Golf.

Moskalik ka qenë një figurë e rëndësishme në strukturat ushtarake ruse, madje përfaqësoi Shtabin e Përgjithshëm rus në bisedimet me Ukrainën në Paris në vitin 2015. Vrasja e tij shënon një nga atentatet ndaj figurave të profilit më të lartë në Moskë, që nga nisja e luftës në Ukrainë, ndonëse raste të tilla mbeten relativisht të rralla në kryeqytetin rus.

Kjo nuk është hera e parë që figura ushtarake ose pro-Kremlinit janë objektiv i atentateve në territorin rus. Në dhjetor të vitit të kaluar, gjenerali Igor Kirillov, shef i Mbrojtjes nga Rrezatimi, Agjentët Kimikë dhe Biologjikë, u vra nga një bombë e fshehur në një skuter elektrik jashtë apartamentit të tij në Moskë. Po ashtu, një shkencëtar i lartë i raketave, Mikhail Shatsky, u gjet i qëlluar për vdekje në një pyll pranë kryeqytetit, ndërsa ish-deputeti ukrainas pro-rus Illya Kyva u vra në një park jashtë Moskës.

Edhe pse shërbimet sekrete ukrainase rrallëherë marrin përgjegjësinë zyrtare për këto sulme, besohet gjerësisht se janë të përfshira, në përpjekje për të dobësuar lidershipin ushtarak dhe propagandistik rus brenda territorit të vet. Vrasja e Moskalik ka gjasa të intensifikojë tensionet dhe frikën për sigurinë e elitës ushtarake në Rusi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos