Tërmet politik në Hungari, fundi i epokës Orban, goditje për Moskën dhe Trump

Nga Rosalba Bejdo
13 Prill 2026, 09:56 | Bota

Hungaria hynë një kapitull të ri politik. Pas 16 vitesh në pushtet, kryeministri nacionalist Viktor Orbán ka humbur zgjedhjet përballë partisë së re të qendrës së djathtë, Tisza, duke shkaktuar një tronditje të fortë politike si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Fitues i zgjedhjeve është lideri 45-vjeçar Peter Magyar, i cili siguroi një shumicë të rehatshme prej 138 vendesh në parlamentin me 199 vende. Rezultati i jep atij mundësinë të ndërmarrë reforma të thella, përfshirë ndryshime kushtetuese dhe luftën kundër korrupsionit.

Pjesëmarrja rekord në votimin e së dielës tregoi se sa shumë hungarezë i panë zgjedhjet si një moment vendimtar për vendin e tyre. Në Budapest, mijëra mbështetës festuan fitoren e Tisza-s përgjatë brigjeve të Danubit.

Peter Magyar u shpreh: "Të dashur bashkatdhetarë, hungarezë! Ia dolem! Tisza dhe Hungaria fituan në këto zgjedhje. Jo pak. Po shumë. Në historinë e Hungarisë demokratike, kurrë më parë ka votuar kaq shumë njerëz, dhe kurrë më parë një parti ka marrë një mandat kaq të fuqishëm si Tisza."

Orbán, i konsideruar për vite si arkitekti i modelit të “demokracisë joliberale”, humbi mbështetjen e votuesve për shkak të stagnimit ekonomik, izolimit ndërkombëtar dhe akuzave për pasurim të elitave të lidhura me pushtetin. Edhe pse nuk pati shumë kohë për të përtypur atë që ndodhi, Orbán nuk e shmangu dot daljen para mbështetësve për të pranuar humbjen.

"Rezultati i zgjedhjeve është i dhimbshëm për ne, por i qartë. Pjesëmarrja dhe mundësia për të qeverisur nuk na u dha neve. E kam përgëzuar fituesin. Ju falënderoj të gjithëve për punën e madhe! Kurrë më parë në asnjë fushatë zgjedhore, kaq shumë prej nesh nuk kanë punuar bashkë dhe kaq shumë," tha Orbán.

Gjatë fushatës, Orbán paralajmëroi se kundërshtari i tij do ta fuste vendin në një konflikt me Rusinë, ndërsa Magyar e paraqiti zgjedhjen si një referendum mes Lindjes dhe Perëndimit, duke akuzuar Orbán se po e largonte Hungarinë nga rruga evropiane.

Humbja e Orbán pritet të ketë pasoja të gjera për Bashkimin Europian. Liderët europianë shpresojnë që Hungaria të heqë dorë nga qëndrimi bllokues, sidomos për ndihmën financiare ndaj Ukrainës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e përgëzoi menjëherë Magyar, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje konstruktive për paqen dhe sigurinë. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “Hungaria zgjodhi Europën, ashtu si Europa ka zgjedhur gjithmonë Hungarinë”.

Ndërkohë, largimi i Orbán shihet si një goditje për aleatët e tij ndërkombëtarë, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin amerikan Donald Trump.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos