Përdoret substanca e ndaluar gjatë sulmeve izraelite në jug të Libanit, shkelet e drejta ndërkombëtare humanitare

Nga A2 CNN
13 Prill 2026, 09:04 | Bota

Përdoret substanca e ndaluar gjatë sulmeve izraelite në jug

Forcat izraelite kanë intensifikuar sulmet në jug të Libanit, duke përdorur sulme ajrore, artileri dhe predha me fosfor, një substancë shumë e diskutueshme për përdorim në konflikte të armatosura.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit (NNA), të paktën pesë persona janë vrarë në qytetet Bazouriyeh, Nabatiyeh El Faouqa, Sir El Gharbiyeh dhe Choukine. Raportohet gjithashtu për viktima dhe dëme të shumta materiale në disa zona të tjera të rajonit.

Sulmet kanë vazhduar edhe në qytetin Bint Jbeil, i cili prej kohësh është nën bombardime të vazhdueshme, si dhe në Majdal Zoun dhe Bayt al-Sayyad në distriktin e Tirit.

NNA njofton për bombardime të rënda me artileri në zonat Al-Haniyah, Al-Qalilah, Al-Mansouri dhe Beit Al-Sayyad. Veçanërisht shqetësues është raportimi se zona e Zibqin është goditur me predha që përmbajnë fosfor, ndërsa avionët luftarakë kanë kryer sulme edhe në qytetin Siddiqin.

Përdorimi i fosforit në zonat e banuara ngre shqetësime serioze ndërkombëtare, pasi kjo substancë mund të shkaktojë djegie të rënda dhe konsiderohet e kufizuar apo e ndaluar në rrethana të caktuara sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare, sidomos kur përdoret kundër civilëve.

Autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare pritet të reagojnë ndaj këtyre zhvillimeve, ndërsa situata në jug të Libanit mbetet tepër e tensionuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos