Një përfaqësuese e Kongresit të shtetit të Minesotës në SHBA, Melissa Hortman, dhe bashkëshorti i saj, John Hoffman, u qëlluan për vdekje mëngjesin e të shtunës, një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe që u përshkrua si atentat i motivuar politikisht nga Guvernatori i Minesotës, Tim Walz.
Ndërkohë, senatori i shtetit John Hoffman dhe bashkëshortja e tij Yvette u sulmuan gjithashtu nga i njëjti autor, shkruan A2 CNN. Të dy janë plagosur rëndë, por pas ndërhyrjeve kirurgjikale, janë në gjendje të qëndrueshme dhe po trajtohen në spital.
Të dy ligjvënësit i përkasin Partisë Demokratike të Fermerëve dhe Punëtoreve të Minesotës (DFL). Ngjarja ka ndezur alarm në të gjithë vendin, ndërsa autori i dyshuar është ende në arrati dhe një kërkim masiv është duke u zhvilluar nga forcat e shumta të rendit.
Sipas autoriteteve, sulmi ndaj çiftit Hoffman ndodhi rreth orës 2:00 të mëngjesit, kur policia mori një telefonatë për të shtëna në banesën e tyre. Oficerët ndërhynë menjëherë dhe u dhanë ndihmën e parë, para se t’i dërgonin në spital.
Më pas, rreth orës 3:35, oficerë që po kontrollonin banesën e Hortmanit panë një person që dukej si polic në derën e shtëpisë së saj. Kur iu afruan, ai hapi zjarr ndaj tyre dhe arriti të largohej. Më vonë u konfirmua se Hortman dhe bashkëshorti i saj ishin vrarë në vendngjarje.
Autori është i armatosur dhe veshur me jelek, emblemë, dhe pajisje që e bëjnë të ngjajë me një oficer policie. Policia i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hapin derën për askënd që paraqitet si polic pa e verifikuar më parë me autoritetet përmes telefonit.

Guvernatori Walz ka aktivizuar Qendrën e Operacioneve të Emergjencës së Shtetit dhe është ngritur një Qendër e Informacionit të Përbashkët për të koordinuar operacionin. Në të njëjtën kohë, autoritetet kanë lëshuar urdhër për qëndrim në shtëpi brenda një rrezeje 4,5 kilometra nga fusha e golfit Edinburgh në Brooklyn Park.
Senatorja amerikane Amy Klobuchar dhe ish-kongresistja Gabby Giffords kanë dënuar ashpër aktin, duke e cilësuar një kërcënim serioz ndaj demokracisë amerikane. Hetimet vazhdojnë. (A2 Televizion)