Të paktën 15 civilë të vrarë dhe mbi 60 të tjerë të plagosur është bilanci i sulmit mbi një autokolonë ambulancash në Gaza, sipas Kryqit të Kuq të Palestinës.
Sulmi u mor përsipër nga forcat izraelite të Mbrojtjes me argumentin se autoambulancat po përdoreshin për të transportuar terroristë dhe armë nga Hamasi.
Deklaratat e bëra nga pala izraelite janë hedhur poshtë nga ministria e Shëndetësisë në Gaza, e cila drejtohet nga Hamasi.
Sipas ministrisë, nga raketat u goditën dy autoambulanca.
“Ambulanca e parë u godit në afërsi të rrethrrotullimit të Ansarit, duke plagosur rëndë një mjek dhe shoferin e autoambulancës. Sulmi i dytë ndodhi kur autokolona mbërriti në hyrje të kompleksit mjekësor Al-Shifa,” thuhet në deklaratë.
Sipas raportimeve, autokolona po transportonte të plagosur drejt pikës kufitare Rafah, por ishte kthyer rreth 4 km nga spitali sepse rruga ishte e bllokuar me rrënoja. Ndërsa, sipas Izraelit, në sulmin e të premtes u vranë një numër militantësh të Hamasit. (A2 Televizion)