25 minuta duartrokitje në Venecia, dokumentari tregon si u përdor AI nga Izraeli për të vrarë objektivat në Gaza

Nga A2 CNN
12 Shtator 2026, 18:05 | Bota

25 minuta duartrokitje në Venecia, dokumentari tregon si u përdor AI

Një dokumentar i ri, që pretendon se Izraeli është mbështetur te mjete të fuqishme të inteligjencës artificiale për të vrarë mijëra njerëz në Gaza, ka shkaktuar reagime të forta në Festivalin e Filmit në Venecia.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) e kanë kundërshtuar kategorikisht mënyrën se si paraqiten ngjarjet dokumentar, duke deklaruar se personat që shërbejnë si burime dhe informatorë nuk mund të verifikohen.

Dokumentari 80-minutësh, “NAZA”, i shfaqur premierë të enjten, bazohet në dëshmitë e 24 personave anonimë, ish-anëtarë ose persona të afërt me strukturat ushtarake dhe të inteligjencës izraelite. Titulli i filmit i referohet një shkurtesë të përdorur në ushtrinë izraelite për numrin e pritshëm të viktimave gjatë një sulmi.

Filmi është realizuar nga dy regjisorë izraelitë fitues të çmimit Oscar, Yuval Abraham dhe Rachel Szor. Pas premierës, dokumentari mori një duartrokitje në këmbë prej rreth 25 minutash, e cilësuar si më e gjata e regjistruar në këtë edicion të festivalit. Në sallë kishte një pjesëmarrje të plotë dhe disa prej spektatorëve mbanin flamuj palestinezë.

Pretendimet për përdorimin e AI-së

Në dokumentar, burime brenda strukturave izraelite pretendojnë se IDF ka përdorur një sistem të inteligjencës artificiale të njohur si “Lavender”, për të identifikuar persona që më pas do të vriteshin në sulme.

Sipas dëshmive të paraqitura nga regjisorët, sistemi funksiononte duke analizuar të dhëna nga mijëra telefona të hakuar. Një prej burimeve pretendon se edhe një frazë e vetme, si “babai është në shtëpi”, e kapur nga telefoni i një fëmije, mund të mjaftonte për të shkaktuar një sulm.

Burime të tjera të intervistuara në film flasin për një shpërfillje të madhe të ligjeve humanitare dhe për një “atmosferë të përgjithshme urrejtjeje” ndaj palestinezëve.

Një prej dëshmive më tronditëse të dokumentarit lidhet me pretendimin se, në një rast, ishte miratuar një sulm ndaj vetëm një anëtari të Hamasit, pavarësisht se vlerësimi paraprak parashikonte se sulmi mund të shkaktonte rreth 500 viktima civile.

IDF ka hedhur poshtë paraqitjen e dokumentarit dhe ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmive, duke theksuar se identiteti dhe statusi i personave që flasin në mënyrë anonime nuk mund të verifikohen.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos