Kapiteni përplaset me Federatën, Amir Rrahmani largohet nga përfaqësuesja e Kosovës

Nga Dea Kozma
12 Shtator 2026, 16:46 | Futboll

Një rrufe në qiell të hapur për Kosovën. Amir Rrahmani nuk do të jetë më pjesë e përfaqësueses dardane. Vendimin e ka bërë publik vetë kapiteni, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e shoqëruar largimin me një mesazh të fortë drejtuar Federatës së Futbollit në Kosovë.

Pas 10 vitesh me Kombëtaren dhe 7 vitesh me shiritin e kapitenit, Rrahmani thotë se nuk do të rikthehet për sa kohë qeveria e FFK-JA do të drejtohet nga personat aktualë.

Por pas këtij vendimi qëndrojnë, sipas vetë futbollistit, vite problemesh dhe pakënaqësish të akumuluara. Rrahmani shprehet se ka pasur përplasje të vazhdueshme dhe mungesë të njerëzve kompetentë për t’i zgjidhur problemet dhe shqetësimet e lojtarëve.

Mbrojtësi i Napolit shkon edhe më tej, duke pretenduar se për më shumë se dy vite ka qenë objekt i sulmeve të vazhdueshme dhe të koordinuara nga persona që, sipas tij, duhet të kishin qenë ata që e mbronin.

Rrahmani ka qenë një prej liderëve të padiskutueshëm të Kosovës. Për një dekadë ka mbajtur veshur fanellën dardane, ndërsa shtatë vitet e fundit ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Tashmë Kosova mbetet pa liderin e saj në prapavijë dhe pa një prej figurave më të rëndësishme të viteve të fundit.

Një vendim i marrë, siç shkruan Rrahmani, për të ruajtur integritetin e tij si kapiten, si futbollist profesionist, por mbi të gjitha vlerat e tij si njeri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos