
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se nëse Zelensky dëshiron vërtet një takim kokë më kokë me presidentin rus, ai është i lirë të udhëtojë në Moskë, duke përsëritur një ftesë që, sipas tij, Putin e ka bërë më herët.
“Nëse dëshiron vërtet të takohet me Putinin, mund të vijë në Moskë, siç ka deklaruar më parë vetë Putini”, tha Peskov për agjencinë ruse TASS.
Reagimi i Kremlinit vjen pasi Zelensky deklaroi në një intervistë për Deutsche Welle se është i gatshëm të udhëtojë në Miami për samitin e G20-s dhe të takohet me Putin, nëse presidenti rus merr pjesë në këtë takim.
Një takim Zelensky-Putin në Miami do të ishte një zhvillim i rëndësishëm diplomatik, pasi dy liderët nuk janë ulur në një tryezë që prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt 2022.
Deklaratat e fundit vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës janë intensifikuar. Në ditët e fundit, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë zhvilluar bisedime si me Putinin në Moskë, ashtu edhe me Zelenskyn në Kiev, me synimin për të rikthyer negociatat e paqes. Megjithatë, deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
(A2 Televizion)