Çmimi Nobel i vitit 2025 në mjekësi u është dhënë një tresheje shkencëtarësh për zbulimin se si sistemi imunitar na mbron nga mijëra mikrobe të ndryshme që përpiqen të pushtojnë trupin tonë.
Mary E. Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi do ta ndajnë çmimin “për zbulimet e tyre themelore në lidhje me tolerancën imunitare periferike”, njoftoi Komiteti i Nobelit të hënën në një ceremoni në Stokholm, Suedi.
Laureatët identifikuan "qelizat T rregullatore", të cilat funksionojnë si rojet e sigurisë së sistemit imunitar dhe parandalojnë që qelizat imune të sulmojnë trupin tonë. “Zbulimet e tyre kanë qenë vendimtare për të kuptuarit tonë se si funksionon sistemi imunitar dhe pse jo të gjithë zhvillojmë sëmundje të rënda autoimune”, tha Olle Kämpe, kryetar i Komitetit të Nobelit, shkruan A2.
Zbulimet e tyre kanë hedhur themelet për një fushë të re kërkimore që ka çuar në zhvillimin e trajtimeve të reja, për shembull për kancerin dhe sëmundjet autoimune. Falë këtij mekanizmi tolerance, shpjegoi Marie Wahren-Herlenius, profesoreshë në Institutin Karolinska dhe një nga shkencëtaret që morën pjesë në përzgjedhje, “i mundësohet sistemit tonë imunitar të luftojë kundër të gjitha llojeve të mikrobeve të imagjinueshme pa vuajtur nga sëmundje autoimmune”.
Mjekësia është çmimi i parë i këtij viti. Fituesit e fizikës do të shpallen gjatë të martës, dhe fituesit e kimisë të mërkurën. Pas çmimeve të shkencës, çmimi i letërsisë do të shpallet të enjten. Laureati i paqes do të shpallet të premten, duke zhgënjyer me shumë gjasa kandidatin presidencial të SHBA-së, Donald Trump.
Vitin e kaluar, çmimi për mjekësi iu dha amerikanëve Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për zbulimin e mikroARN-ve, fragmente të vogla të materialit gjenetik që veprojnë si ndërprerës të gjeneve brenda qelizave dhe rregullojnë funksionin e tyre. Laureatët e Çmimit Nobel do të marrin një çmim prej 11 milionë kronash suedeze (rreth një milion euro) dhe një medalje ari me portretin e Alfred Nobelit, kimistit dhe sipërmarrësit suedez që patentoi dinamitin në vitin 1867, por që kërkoi të hynte në histori për arsye të tjera përveç zbulimit të një eksplozivi të ri.
Që nga viti 1901, çmimet u janë dhënë shkencëtarëve që “kanë kontribuar më shumë për të mirën e njerëzimit”. (A2 Televizion)