300 ditë luftë, 115 pengje ende në duart e Hamas, familjarët kërkojnë lirimin e tyre

Nga Denisa Pasholli
2 Gusht 2024, 13:01 | Bota

Kaluan plot 300 dite nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit, në 7 tetor të vitit të shkuar. Ende 115 pengje nga ajo ditë, mbahen në robëri në tunelet nëntokësore të Hamas. Teksa luftimet mes palëve intensifikohen dhe numri i viktimave vetëm rritet, familjaret e pengjeve duket se nuk kanë më shpresë për t’i patur pranë vetes të afërmit e tyre. Thonë se nuk kane asnjë ide, nëse ata janë gjallë apo kanë vdekur, ndërsa për negociata armëpushimi as nuk po diskutohet më.

Kaluan 300 ditë nga sulmi i 7 tetorit të vitit të shkuar. 300 ditë dhe ende Hamas ka në duart e tij si karta negociatash, 115 pengje, të kombësive e moshave të ndryshme.

Familjarë të pengjeve u mblodhën e protestuan në Tel Aviv, si për të shenjuar këto ditë tmerri për ta, në pritje të një lajmi, pozitiv apo negative. Por prej 300 ditësh, nuk dinë asgjë për shëndetin e të afërmve të tyre. Lufta ndërkohë në enklavën palestineze vijon ethshëm.

Protestuesit kishin gjetur një ide për t’i treguar botës, Izraelit, Hamasit e Amerikës, se 300 ditë kaluan, edhe sa do të presin? Numri 300 në zjarr.

Katari, Egjipti dhe Shtetet e bashkuara vazhdimisht e kanë përsëritur se Izraeli dhe Hamasi duhet të ulen në bisedime por një marrëveshje armë pushimi ka qenë e pamundur. Izraeli në 300 ditë luftë, sipas të dhënave nga ministria palestineze e shëndetësisë ka vrarë mbi 39 mijë palestinezë, mes tyre pjesa më e madhe civilë, gra e fëmijë. 

Ndërsa grupi militant Hamas që sulmoi papritur Izraelin mëngjesin e 7 tetorit të shkuar, vrau 1200 vetë dhe mori peng më shumë se 250 persona. 115 prej tyre, janë ende në robëri, në tunelet e nëndheshme dhe gjurmimi i vendndodhjes së tyre, është i pamundur.

Ka patur përpjekje të vazhdueshme por një marrëveshje finale pas 10 muajsh luftë, edhe duket larg. Hamas nuk pranon t’i lirojë pengjet, së paku jo derisa Izraeli nuk pranon të ndalojë luftimet në Rripin e Gazës ndërsa Izraeli nuk pranon një tjetër kusht, atë të lirimit të të burgosurve të tjerë.

Hera e fundit kur mundësia e një armë pushimi u diskutua ishte në raundin e bisedimeve në Romë, në 28 korrik. Nga ajo ditë, luftimet duket se janë intensifikuar dhe disa zyrtarë të lartë të Hamas, politikë e ushtarakë, kanë mbetur të vrarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos