Sot Ukraina përkujton 40-vjetorin e katastrofës bërthamore të Çornobilit, një nga aksidentet më të rënda bërthamore në histori. Në 26 prill 1986, gjatë një prove sigurie të kryer gabim në reaktorin nr. 4 të centralit, operatorët çaktivizuan disa sisteme mbrojtëse dhe reaktori kaloi në një gjendje të paqëndrueshme.
Kjo çoi në një rritje të papritur të energjisë dhe në një seri shpërthimesh. Shpërthimi shkatërroi ndërtesën e reaktorit dhe lëshoi një re të madhe radioaktive që u përhap në Ukrainë, Bjellorusi, Rusi dhe në pjesë të mëdha të Evropës, madje edhe deri në Amerikën e Veriut.
Menjëherë pas ngjarjes, 31 persona humbën jetën nga rrezatimi akut, kryesisht zjarrfikës dhe punëtorë të centralit. Në vitet pasuese, mijëra të tjerë u prekën nga sëmundje të lidhura me rrezatimin edhe pse numri i saktë i viktimave mbetet ende i debatueshëm.
Pas katastrofës, Bashkimi Sovjetik ndërtoi një strukturë mbrojtëse për të izoluar reaktorin e dëmtuar. Më vonë u vendos edhe një “kapsule” më moderne për të parandaluar rrjedhjet e mëtejshme radioaktive.
Zona përreth, përfshirë qytetin e braktisur Pripiat, I cili atëherë ishte shtëpia e më shumë se 50 mijë banorëve u shpall zonë e ndaluar dhe mbetet edhe sot një qytet fantazëm.
Në vitin 2025, një sulm me dron dëmtoi strukturën mbrojtëse të centralit, duke ngritur frikën për dëmtime afatgjata dhe kosto të larta riparimi. Zona vazhdon të mbetet një simbol i rrezikut bërthamor dhe pasojave afatgjata të tij. (A2 Televizion)