5 mijë dollarë për çdo amerikan, Trump në konventën republikane: Na pret ferri nëse humbasim

Nga Xhevahir Qardaku
10 Shtator 2026, 10:09 | Bota

5 mijë dollarë për çdo amerikan, Trump në

Donald Trump hap thesin me dollarë përpara zgjedhjeve të Mesmandatit. Presidenti amerikan çeli kështu Konventën Republikane në Dallas të Teksasit.

“Nëse fitojnë republikanët, ju fitoni me ne dhe merrni 5 000 dollarë. Do të quhet dividendi i Trump”, u shpreh Presidenti amerikan.

Këtë shpërblim për çdo qytetar amerikan e kushtëzoi me fitoren e republikanëve dhe mbajtjen e shumicës në të dyja dhomat e Kongresit në zgjedhjet e nëntorit. Plani i tij do të kushtonte më shumë se një trilion dollarë, ndërsa sqaroi se paratë do të duhet të shpenzohen në SHBA. Oferta kontroverse u bë në një fjalim në konventën e parë të partisë në mes të një mandati presidencial në Shtetet e Bashkuara.

“Po ju kërkoj të bëni sikur jam në fletëvotim. Jam në fletëvotim. Vetëm edhe një herë. Sepse nëse humbasim, do të humbisni kufirin tuaj. Do të humbisni uljet e taksave. Do të humbisni sigurinë dhe mbrojtjen tuaj. Do të humbisni pasurinë tuaj. Vendi ynë po kalon nëpër ferr. Do të kaloni nëpër ferr ashtu siç kaluat vetëm dy vjet më parë. Ne kaluam nëpër ferr”, u shpreh Trump, shkruan A2.

Demokratët e etiketuan shpejt atë një “premtim bosh” dhe të tjerë vunë në dyshim nëse një premtim i tillë ishte i ligjshëm. Janë gati 270 milionë të rritur amerikanë që mund të përfitojnë çekun 5 mijë dollarësh dhe ligjet nuk lejojnë ndikimin e votës përmes parasë.

Fjalimi i gjatë i Trump në konventën republikane në Dallas të Teksasit preku thelbin e konfliktit me Iranin, ndikimin në standardin e jetesës së amerikanëve dhe premtimin e tij për të rritur fuqinë e tyre blerëse. Kjo shkaktoi duartrokitje të forta në sallë dhe nxiti presidentin të sulmonte rivalët demokratë.

“Ka një re të vogël e të çmendur mbi vendin tonë. Unë vërtet besoj se nuk do të shkojë askund, por duhet të sigurohemi sepse do ta mposhtim komunizmin në Amerikë dhe do të votojmë për lirinë amerikane”, theksoi Trump.

Mediat amerikane kanë kontrolluar faktet dhe ballafaquar deklaratat e presidentit, ndërsa shkruajnë se për shumë tema qëndrimi i tij nuk ka qenë i saktë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos