
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur shpalosja e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit - të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.
Vetëm Thaçi është i pranishëm në sallë, ndërkaq të akuzuarit e tjerë janë duke e ndjekur seancën përmes video-lidhjes.
Mbrojtja dhe prokurorët do t'i kenë tri ditë kohë për t’i dhënë argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast që ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, shkruan A2.
Dy ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të dalin para trupit gjykues për t’u përballur me aktgjykimin për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë. Për secilin nga ta, Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burgim. Të katërt i kanë mohuar të gjitha akuzat.
Thaçi, si dhe Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi, akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Thaçi përballet me tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen, secili, me nga një akuzë për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kuçi përballet dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Që të pestë janë vetëdeklaruar të pafajshëm.
Gjykimi ndaj tyre filloi më 27 shkurt, ndërsa më 13 mars, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave/ REL (A2 Televizion)