
Komisioni Europian iu përgjigj interesimit të A2CNN për një koment mbi draftin e qeverisë për Reformën Territoriale.
Përgjigjja e KE-së ishte kjo: “Reforma territoriale nuk është kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
Komisioni Europian nënvizoi edhe rëndësinë që çdo ndryshim në këtë fushë të zhvillohet përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe me konsultim të gjerë.
Në përgjigje të pyetjes nëse Komisioni Europian pret që qeveria shqiptare të garantojë dialog politik dhe konsultim me autoritetet vendore dhe komunitetet e prekura përpara se të vijojë me reformën, Komisioni thekson se procesi duhet të përfshijë të gjitha palët.
“Çdo reformë duhet të zhvillohet përmes një procesi gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh pikëpamjet e të gjitha forcave politike dhe aktorëve relevantë në Shqipëri, veçanërisht komuniteteve lokale”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Europian. (A2 Televizion)