Është rritur në të paktën 80 bilanci i viktimave të operacionit ushtarak amerikan të shtunën në Venezuelë.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja amerikane “New York Times”, që citon një funksionar të lartë në Karakas.
Më herët, ministri i Mbrojtjes në Venezuelë, Vladimir Padrino, kishte deklaruar se pjesa më e madhe e personelit të sigurisë së Presidentit venezuelian ishte vrarë gjatë operacionit, pa dhënë detaje të tjera.
Ndërkohë, qeveria kubaneze konfirmoi se 32 zyrtarë të këtij shteti janë vrarë në Venezuelë në fundjavë gjatë operacionit amerikan, shkruan A2.
Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror, Havana shpjegoi se personeli ushtarak dhe policior ishte angazhuar në një mision në Karakas, me kërkesë të qeverisë venezueliane.
Kuba shpalli një ditë zie kombëtare. Nuk dihet ende natyra e saktë e misionit të zyrtarëve kubanez, por dy shtetet kanë një aleancë të ngushtë dhe prej vitesh kembejnë personel ushtarak dhe të sigurisë. (A2 Televizion)