Një mosmarrëveshje midis fqinjëve u kthye në tragjedi, pasi njëri prej tyre nxori armën dhe qëlloi për vdekje tjetrin, pas mosmarrëveshjeve për një rubinet uji të përbashkët.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë dy çifte në Escazú, të Kosta Rikës, që debatojnë ashpër. Video tregon çiftet duke i bërtitur nga larg njëri-tjetrit, përpara se konfrontimi të kalojë në oborrin e përparmë të banesave të tyre.
Një nga fqinjët, Otoniel Orozco Mendoza, e përshkallëzon sherrin nga verbal në fizik, duke goditur me grushte fqinjin e tij, Eduardo Ramírez Zamora.
Për hakmarrje, Zamora nxori armën dhe hapi zjarr ndaj Mendozës, duke qëlluar të paktën nëntë herë nga afër dhe duke e vrarë atë në çast.
Gruaja e viktimës shihet duke bërtitur dhe duke vrapuar, ndërsa gruaja e vrasësit u përpoq ta tërhiqte atë për të ndaluar burrin e saj që të vazhdonte të gjuante me armë.
Zamora u arrestua pas incidentit dhe do të kalojë tre muaj në paraburgim.
Familjarët e të ndjerit deklaruan për mediat e Kosta Rikës se prej kohësh kishte konflikte mes Zamorës dhe Mendozës.
"Para se ky njeri të kryente atë mizori, motra ime e kishte raportuar tashmë atë në shumë raste dhe autoritetet nuk bënë kurrë asgjë", tha Dayli Avendaño, kunata e të ndjerit, për median CR Hoy. Ajo pretendon se ai madje ngacmonte fëmijët e fqinjit.
Nga ana tjetër, babai i Zamorës tha se përleshjet mes këtyre dy fqinjëve kanë nisur muaj më parë dhe tha se konflikti ka nisur për shkak të rinovimeve në shtëpinë e Mendozës dhe se ditën e ngjarjes Mendoza ka sulmuar gruan e Zamorës. Zamora tha se ai veproi në vetëmbrojtje.
Mendoza, 53 vjeç, ishte një biznesmen me origjinë nga Nikaragua dhe punonte në sigurimin privat. Ai la pas gruan, vajzën dhe djalin.
(A2 Televizion)