Marrëdhëniet e tendosura mes Evropës dhe SHBA-së, që po dalin në pah edhe gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih këtë vit, po shqetësojnë ekspertët. Redaktori për çështjet evropiane në agjencinë e lajmeve Reuters, Andrew Gray, thotë se marrëdhënia është aq e brishtë sa mbetet pikëpyetje e hapur nëse mund të shpëtohet apo stabilizohet.
Ndërkohë, analisti politik në Universitetin Ludwig Maximilian të Mynihut, Moritz Weiss, thekson se Evropa duhet të gjejë një rol të ri mes tensioneve me SHBA-në.
Ndjekim opinionet e tyre lidhur me pritshmëritë sa i përket raporteve SHBA–BE.
Andrew Gray, ekspert, Reuters: “Marrëdhënia është padyshim e dëmtuar. Është shumë e brishtë dhe mbetet pyetje e hapur nëse gjërat mund të stabilizohen dhe shpëtohen. Ka pasur shenja, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, që evropianët dhe amerikanët kanë gjetur një mënyrë për të arritur pikëpamje të përbashkëta. Por për tregtinë, për rregullimin e mediave sociale dhe platformave digjitale, ata janë shumë larg njëri-tjetrit. Ka shumë tension. Ka pasur shumë tension rreth Grenlandës. Tensioni ka rënë për momentin, por askush nuk mendon se është zhdukur përfundimisht”.
“Mendoj se, fare qartë, do të jetë si në Davos. Së pari, ka tensione transatlantike. Ka probleme, ka sfida, ka mosmarrëveshje mbi shumë çështje të rëndësishme politike aktualisht. Kjo do të dominojë dhe për Evropën do të jetë një sfidë të gjejë një rol të ri. Së dyti, natyrisht, është Ukraina. Ka një luftë në zhvillim dhe, çfarëdo qoftë fundi i saj, do të jetë kyç për sigurinë evropiane dhe për arkitekturën e së ardhmes. Dhe së treti, ka panele më të vogla, por gjithashtu të rëndësishme, mbi krizat rajonale, si dhe mbi çështje si inovacioni teknologjik, revolucioni në fushën e betejës me dronë dhe inteligjenca artificiale”, tha Moritz Weiss, analist politik në Universitetin Ludwig Maximilian.
“Evropa po lëviz drejt marrjes së një përgjegjësie më të madhe në mbrojtje. Shtetet evropiane po fillojnë të shpenzojnë shumë më tepër. Po fillojnë të blejnë ose të zhvillojnë kapacitete për të cilat më parë mbështeteshin te amerikanët. Pra, ka një përpjekje graduale në këtë drejtim. Por, sidomos për sigurinë, ata ende varen shumë nga amerikanët për teknologji dhe për forcën ushtarake që do të ishte e nevojshme për mbrojtjen e Evropës. Dhe, sigurisht, ata janë plotësisht të varur nga ombrella bërthamore amerikane, përveç Francës dhe Britanisë së Madhe, të cilat kanë armët e tyre bërthamore”, tha Andrew Gray, ekspert i Reuters.
“Mendoj se sfida me të cilën përballen vendimmarrësit në këtë moment është fakti se kërcënimi dhe përdorimi i forcës është bërë sërish një instrument politik. Kjo është një sfidë, sepse jetonim në një epokë ku kishim premisën për të zgjidhur konfliktet paqësisht. Pra, ky është një ndryshim dhe mendoj se është diçka që veçanërisht evropianët e kanë të vështirë ta pranojnë.
Së dyti, do të thosha gjithashtu se fundi i globalizimit është një tjetër sfidë, veçanërisht për tregun e përbashkët evropian dhe për vendet eksportuese si Gjermania. Sepse, në fund të fundit, kur nuk bëhet më vetëm fjalë për tregje dhe çmime, por për politikë dhe ndoshta edhe presion, kjo përbën një sfidë dhe nënkupton ndryshim. Ky nuk është vetëm një ndryshim që vendimmarrësit në administratë dhe qeveri duhet ta përballojnë, por edhe kompanitë duhet të përshtaten. Pra, është një ndryshim shumë më i gjerë për shoqëritë tona”, tha Moritz Weiss.
“Mendoj se shumë njerëz do të jenë duke parë nëse marrëdhënia midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara mund të shpëtohet dhe, nëse po, sa mund të shpëtohet. Fjalimi i JD Vance vitin e kaluar ishte një goditje e madhe. Dhe mendoj se evropianët shpresojnë që do të kenë një mesazh më të butë dhe më pajtues nga Marco Rubio, Sekretari i Shtetit, dhe ndoshta mund të stabilizojnë gjërat dhe të ecin përpara në një mënyrë më pak të luhatshme. Por ata nuk e dinë me siguri. Askush nuk e di se çfarë do të thotë Marco Rubio. Askush nuk e di se çfarë surprizash të tjera mund të dalin gjatë konferencës. Pra, është pak si një akt në litar të lartë.” (A2 Televizion)