
Duke folur nga Mynihu, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se ka një hendek mes Evropës dhe SHBA-ve, raporton A2CNN.
“Le ta nis me të vërtetën e pakëndshme: një hendek është hapur midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Zëvendëspresidenti J.D. Vance e tha këtë shumë hapur një vit më parë këtu në Mynih. Ai kishte të drejtë. Lufta kulturore e lëvizjes MAGA nuk është e jona", tha kancelari gjerman.
Merz tha se ne nuk besojmë në tarifa dhe proteksionizëm, por te tregtia e lirë.
"Liria e fjalës mbaron kur shkon kundër dinjitetit njerëzor dhe Kushtetutës. Ne nuk besojmë në tarifa dhe proteksionizëm, por në tregtinë e lirë. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj marrëveshjeve për klimën dhe OBSH-së sepse jemi të bindur se vetëm së bashku mund t'i zgjidhim sfidat globale."
Ai bëri apel për riparim dhe ringjallje të besimit transatlantik.
"Le të riparojmë dhe ringjallim së bashku besimin transatlantik. Evropa po bën pjesën e saj. Për tre breza, besimi midis aleatëve, partnerëve dhe miqve e ka bërë NATO-n aleancën më të fortë të të gjitha kohërave. Evropa e di sa e çmuar është kjo. Në epokën e rivalitetit midis fuqive të mëdha, as Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë mjaftueshëm të fuqishme për të vepruar vetëm", vazhdoi Merz.
"Të dashur miq, të qenit pjesë e NATO-s nuk ka të bëjë vetëm me avantazhin konkurrues të Evropës. Ka të bëjë edhe me avantazhin konkurrues të Shteteve të Bashkuara. Autokracitë mund të kenë ndjekës; demokracitë kanë partnerë dhe aleatë", shtoi ai.
Në Konferencën e Sigurisë që po mbahet sot në Mynih marrin pjesë rreth 50 udhëheqës botërorë. Në fokus të diskutimeve janë mbrojtja evropiane dhe e ardhmja e marrëdhënieve transatlantike, në një kohë kur angazhimet e SHBA-së ndaj NATO-s janë vënë në pikëpyetje. (A2 Televizion)