
Britania e Madhe dhe Franca do të kryesojnë një takim me aleatët që do të zhvillohet sot për të diskutuar përpjekjet e përbashkëta për të rivendosur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, raporton A2CNN.
Teherani e ka mbyllur rrugën ujore pranë bregdetit të Iranit në përgjigje të sulmeve amerikane-izraelite, ndërsa SHBA-të kanë filluar bllokadën e tyre ndaj porteve iraniane, të cilat kanë çuar në një rritje të çmimeve globale të energjisë.
Rreth 40 vende pritet të bashkohen në takimin e kësaj pasditeje, tha zyra e Keir Starmer, duke shtuar se udhëheqësit do të "përqendrohen në mbështetjen e armëpushimit të brishtë në rajon dhe në sigurimin që rrugët e transportit detar të rihapen dhe të sigurohen përmes Ngushticës për një kohë të gjatë".
Starmer pritet t’i thotë takimit se “rihapja e pakushtëzuar dhe e menjëhershme” e ngushticës “është një përgjegjësi globale”, tha Downing Street.
Ata do të diskutojnë gjithashtu vendosjen e mundshme të “një misioni ushtarak shumëkombësh mbrojtës, me qëllim sigurimin e lirisë së lundrimit”, sipas ftesës së dërguar nga Pallati Elize, e konfirmuar edhe nga AFP.
(A2 Televizion)