Mes intensifikimit të luftës me Rusinë, Presidentit Volodymyr Zelensky, i duhet të përballet jo vetëm me bombat e fuqishme që lëshon Rusia, por edhe ato që hedhin ish-aleatët e vet, brenda vendit.
Në një deklaratë befasuese pak javë më herët, ish-ministri i shkarkuar i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, bëri thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve në kohë lufte. Ai argumentoi se qeveria nuk po arrinte të luftonte korrupsionin, duke përbërë sfidën më të madhe të brendshme ndaj Presidentit Volodymyr Zelenskiy që nga pushtimi rus, shkruan A2.
Por, cilat janë disa nga pengesat që do të duhej të kapërceheshin që Ukraina të zhvillonte zgjedhje gjatë luftës?
Analistja Orysia Lutsevych shprehet: “Ai ka qenë ministër i Mbrojtjes, ndërsa më parë ka drejtuar edhe Ministrinë e Transformimit Digjital. Arsyeja pse ai po kërkon zgjedhje është se u shkarkua nga posti i ministrit të Mbrojtjes, në një kohë kur po përpiqej të zbatonte një reformë të thellë dhe sistemike të Ministrisë dhe të gjithë sektorit të mbrojtjes. Ai kërkonte gjithashtu që Ukraina të përqafonte një qasje më asimetrike dhe teknologjike ndaj luftës, me synimin për t’i bërë ballë dhe për të mposhtur Rusinë. Shkarkimi i tij shkaktoi protesta të mëdha në të gjithë vendin dhe ai shpresonte që Zelenskiy ta rishqyrtonte vendimin gjatë periudhës nga mesi i korrikut deri në mesin e gushtit. Por, tani, me Parlamentin në seancë, duket gjithnjë e më e qartë se në krye të Ministrisë së Mbrojtjes do të vendoset një person tjetër. Kështu, ai është lënë jashtë qeverisë dhe tani po përpiqet tasfidojë Zelenskiyn politikisht për këtë vendim”.
Ukraina, e cila zhvilloi zgjedhjet e fundit në vitin 2019, ndodhet nën ligjin ushtarak që nga shkurti 2022, kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë. Ligji ushtarak i ndalon zgjedhjet për arsye sigurie. Megjithatë, Zelenskiy ka thënë se është i gatshëm të zhvillojë zgjedhje nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë të Ukrainës mund të garantojnë sigurinë e procesit zgjedhor. Presidenti amerikan Donald Trump ka argumentuar më herët se zgjedhjet duhet të zhvillohen. Po sonazhet kanë treguar vazhdimisht se shumica e ukrainasve janë kundër zhvillimit të zgjedhjeve ndërsa luftimet vijojnë përgjatë më shumë se 1200 km në lindje, jug dhe veri të Ukrainës.
Qindra dronë dhe raketa ruse godasin rregullisht qytetet dhe qytezat ukrainase, edhe larg vijës së frontit. Furnizimi me energji elektrike ndërpritet për shkak të sulmeve ruse ndaj sektorit të energjisë dhe infrastrukturës energjetike. Orysia Lutsevych, zëvendësdrejtore e Programit për Rusinë dhe Euroazinë dhe drejtuese e Forumit të Ukrainës në Chatham House, tha se rreziqet ishin “tejet të mëdha”, duke përmendur mundësinë e ndërhyrjes ruse dhe humbjen e fokusit te përpjekjet e luftës: “Rreziqet janë jashtëzakonisht të mëdha. Dhe këto rreziqe lidhen, para së gjithash, me ndërhyrjen ruse, pasi Rusia do të përpiqet të zhvillojë një lojë shumë të rrezikshme për të minuar të gjithë procesin dhe për të krijuar një situatë ku ukrainasit të përplasen me njëri-tjetrin, në vend që të jenë të përqendruar dhe të bashkuar në luftën kundër armikut të jashtëm. Gjithashtu, mendoj se çmobilizimi dhe demoralizimi që mund të shkaktojë procesi politik, si dhe zhvendosja e vëmendjes nga përpjekjet e luftës, do t’i shërbenin interesave të Rusisë. Pra, ka shumë rreziqe që lidhen me zhvillimin e zgjedhjeve gjatë kohës së luftës. Për më tepër, edhe baza ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve të para pas luftës, edhe pasi lufta të ketë përfunduar, ende nuk është gati”.
Analistët sugjerojnë se një armëpushim ajror do të ishte hapi i parë i domosdoshëm për të filluar shqyrtimin e mundësisë së zgjedhjeve. Sipas tij, Ukraina do të duhej të krijonte pothuajse nga e para kuadrin ligjor për zgjedhjet, përfshirë një ligj të ri që do të përcaktonte kohën, rregullat dhe procedurat. Fesenko vlerësoi se kjo do të kërkonte rreth gjashtë muaj. Kievi gjithashtu do të duhet të parandalojë çdo përpjekje të mundshme të Rusisë për të manipuluar procesin zgjedhor: “Le të imagjinojmë se arrihet një armëpushim dhe Parlamenti heq gjendjen e luftës. Që nga ai moment, madje edhe që tani, gjatë vazhdimit të luftës, mund të punohet për paketën ligjore, në mënyrë që të jetë e qartë se çfarë duhet të ndodhë që në ditën e parë pas heqjes së gjendjes së luftës. Duhet të rishikohen edhe regjistrat e votuesve për t’i përditësuar, sepse shumë njerëz janë zhvendosur dhe shumica nuk jetojnë në adresën ku janë të regjistruar. Duhet të shqyrtohet edhe çështja e sigurisë, përfshirë kompetencat e policisë për mbrojtjen e zgjedhjeve. Duhet të trajtohet edhe ndërhyrja financiare, përdorimi i kriptomonedhave dhe operacionet ruse të ndikimit në zgjedhje, gjë që kërkon gjithashtu një nivel të caktuar koordinimi ndërinstitucional. Dhe, së fundi, duhet të merret parasysh edhe ushtria. Aktualisht, Ukraina ka rreth 1 milion njerëz në forcat e armatosura”.
Por, në një shtet në luftë, një pyetje që kërkon përgjigje, është: ku ndodhen votuesit ukrainas dhe sa të vështirë e kanë të arrijnë qendrat e votimit. Përditësimi i Regjistrit Shtetëror të Votuesve, për të përcaktuar se kush ka të drejtë të votojë dhe ku duhet të votojë, do të ishte një proces i vështirë, thanë analistët dhe zyrtarët. Të dhënat tregojnë se më shumë se 4.4 milionë ukrainas kishin statusin e mbrojtjes së përkohshme në Bashkimin Evropian deri në fund të qershorit. Kjo do të kërkonte që Ukraina të organizonte qindra qendra votimi në të gjithë Evropën.
Pothuajse 4 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së migracionit të OKB-së. Analistët thonë se regjistrimi i të gjithë personave të zhvendosur nuk do të ishte i thjeshtë dhe do të kërkonte kohë dhe fonde që përndryshe mund të përdoreshin për mbrojtjen e vendit: “Dhe, e fundit, por jo më pak e rëndësishme, janë të gjithë ata ukrainas që jetojnë jashtë vendit — më shumë se 4.5 milionë njerëz. Si do të mund të votojnë ata? Cila është infrastruktura që duhet të ngrihet për të mundësuar votimin e tyre nga jashtë, në mënyrë që të jenë pjesë e procesit zgjedhor në Ukrainë? Pra, mund të duhen nga gjashtë muaj deri në një vit për të ngritur dhe vënë në funksion gjithë këtë sistem”.
Rreth 1 milion persona shërbejnë në forcat e mbrojtjes së Ukrainës. Organizimi i një zgjedhjeje të lirë dhe të ndershme në një vijë fronti ku qarkullojnë vazhdimisht dronë do të ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe mund të kërkonte ndryshime ligjore. Zyrtarët ukrainas vlerësuan se, në vitin 2024, rreth 4.5 milionë ukrainas të rritur ndodheshin pas vijave të frontit, në territoret e pushtuara nga Rusia. Rusia kontrollon rreth 19% të territorit ukrainas dhe planifikon të zhvillojë zgjedhjet e saj atje muajin e ardhshëm. Ukraina i ka deklaruar këto zgjedhje të paligjshme.
“Në Ukrainë zhvillohen vazhdimisht sondazhe publike, përfshirë edhe nga Instituti i Sociologjisë në Kiev. Sondazhi i fundit, i zhvilluar në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit, tregon se vetëm 15% e ukrainasve do të mbështesnin zhvillimin e zgjedhjeve tani, gjatë kohës së luftës. Shumica e ukrainasve, mbi 60%, thonë se zgjedhjet duhet të zhvillohen pasi të hiqet ligji ushtarak”, tha analistja.
Sipas sondazheve, Zelenskiy do të kishte shanse të forta për t'u rizgjedhur. Popullariteti i tij në Ukrainë ishte rreth 90% në fillim të luftës, por që atëherë ka rënë në rreth 60%, në varësi të sondazhit. Analistët politikë dhe kompanitë e sondazheve thanë se mbështetja për Zelenskiyn u dëmtua nga një skandal i madh korrupsioni në sektorin energjetik vitin e kaluar, por më pas është rikuperuar. Zelenskiy vazhdon të jetë kandidati kryesor ndër politikanët tradicionalë. Sondazhet tregojnë se Valeriy Zaluzhnyi, ambasadori i Ukrainës në Britani dhe ish-komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura, do të ishte një nga rivalët kryesorë të Zelenskiyt.
Një tjetër rival i mundshëm është Kyrylo Budanov, shefi i kabinetit presidencial dhe ish-drejtuesi i inteligjencës ushtarake. Megjithatë, edhe Fedorov, një reformator 35-vjeçar me profil të fortë në teknologji, është ngjitur në sondazhet e fundit. Ai u shkarkua papritur muajin e kaluar nga Zelenskiy, vetëm gjashtë muaj pasi ishte emëruar ministër i Mbrojtjes. Shkarkimi i tij shkaktoi një valë të rrallë protestash në rrugët e Ukrainës gjatë kohës së luftës. Media ukrainase NV, duke cituar kompaninë e njohur lokale të sondazheve SOCIS, raportoi se Fedorov mund të merrte rreth 13% të votave, ndërsa Zaluzhnyi 21% dhe Zelenskiy 22%.
Nëse Fedorov ose Zaluzhnyi do të arrinin në raundin e dytë, sondazhet kanë treguar se secili prej tyre mund ta mposhtte Zelenskiyn. (A2 Televizion)