Të gjithë fshatrat europianë kanë probleme me lëvizjen e popullsisë nga zonat rurale drejt qyteteve. Këtë përgjigje dha në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, Ministri për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, kur u pyet për shpopullimin e Shqipërisë. Sipas tij ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar.
“Në Zvicër në 10-vjeçarin e fundit ka rënë me 9%. 9%, e popullsisë ka lëvizur nga fshatrat drejt qyteteve në Zvicër E gjithë Italia e Jugut dhe një pjesë e rëndësishme e Toskanës, e gjithë Provence në Francë, të gjithë fshatrat e Gjermanisë kanë të njëjtin problem si ne. Të gjithë fshatrat e Gjermanisë kanë një problem. Pra, e gjithë Evropa ka një problem. Njerëz kanë lëvizur nga zonat rurale dhe në zona ku kanë bërë investime, kanë infrastrukturë, kanë çerdhe, kanë shkollë, kanë kopsht, kanë rrugë dhe kanë lëvizur në zona urbane”, deklaroi Mazniku në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas tij lidhja e këtij elementi me infrastrukturën, apo shërbimet vendore është abuzim politik dhe i pavërtetë, teksa argumentoi se urbanizimi lidhet me kërkesën e njerëzve për më shumë mundësi punësimi, arsim, shërbime dhe jetë sociale.
“Dhe nuk ka ikur në Zvicër, sepse nuk kanë qendër shëndetësore, nuk kanë rrugë apo nuk kanë ujë në fshatra. Kanë ikur sepse njerëzit sot në mënyrë sistematike në gjithë botën kur flasim për stilin e jetës së tyre, duan të jenë afër qendrës tregtare, afër universitetit, afër shërbimeve, të kenë mundësi që të ketë një zonë ku ka më shumë mundësi punësimi të ndryshme”, theksoi ai
Sa i takon problemeve me furnizimin me ujë në Tiranë dhe Durrës, Mazniku theksoi se situata është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me dy dekada më parë.
“Kemi qenë një situatë në të cilën pjesa më e madhe e vendit s'kishte ujë. Sot jemi në situatë të cilën pjesa më e madhe e vendit ka ujë 24 orë. Sot marrim rastet e Tiranës këtu, e kemi nisur me katër pesë, orë ujë. Jemi sot 18.5 orë ujë mesatarja që do të thotë ndryshimi është epokal masiv. A jemi akoma atje? Po dëgjo, në qoftë se dikush priste që do bëheshim Suedi për dy vjet, atëherë kam përshtypjen që pritshmëria ka qenë e padrejtë”. (A2 Televizion)