Dy sulme të mëdha kibernetike ndaj supermarketeve evropiane, të ndodhura brenda pak javësh, kanë nxjerrë në pah cenueshmërinë e infrastrukturës kritike të BE-së. Ekspertët e sigurisë kibernetike po japin alarmin se këto sulme mund të jenë pjesë e luftës hibride që Rusia po zhvillon kundër Evropës.
Të hënën, sistemet e ftohjes në supermarketet e të paktën nëntë vendeve të BE-së dolën jashtë funksionit, në një ngjarje që duket se përsërit sulmet kibernetike të regjistruara ndaj dyqaneve franceze më 11 dhe 12 tetor. Sipas raportimeve të mediave lokale dhe përfaqësuesve të supermarketeve të prekura, mes vendeve të goditura janë Belgjika, Luksemburgu, Suedia, Gjermania, Irlanda, Holanda, Estonia, Finlanda dhe Rumania.
Zyrtarët e lartë të sigurisë në Komisionin Evropian do t'i shqyrtojnë këto incidente, raportoi POLITICO. Komisioneri i BE-së për Bujqësinë dhe Ushqimin, Christophe Hansen, i përshkroi sulmet si një “përpjekje të qëllimshme për të çrregulluar zinxhirin tonë të furnizimit me ushqim”.
Identifikimi i përgjegjësve për një sulm kibernetik është një proces i ndërlikuar, i mbushur me pasiguri dhe që varet nga shkallë të ndryshme probabiliteti. Edhe pasi të përfundojë puna teknike, qeveritë shpesh hezitojnë të përcaktojnë zyrtarisht përgjegjësinë, për arsye politike, diplomatike apo të lidhura me shërbimet e inteligjencës.
“Nuk dihet se kush qëndron pas këtij sulmi dhe mund të mos jetë kurrë e mundur të identifikohen autorët”, deklaroi një zëdhënës i agjencisë belge për sigurinë kibernetike.
Megjithatë, pas këtyre sulmeve, shumë analistë kanë pasur në mendje një fajtor të vetëm: Moskën.
Së bashku me Iranin, Kinën dhe Korenë e Veriut, Rusia konsiderohet si një nga katër vendet që kanë vënë më shpesh Evropën në shënjestër të sulmeve kibernetike të mbështetura nga shteti. Por ekspertët thonë se modelet dhe objektivat e këtyre sulmeve e bëjnë më pak të mundshëm përfshirjen e tre vendeve të tjera.
Rusia e ka intensifikuar fushatën e saj të luftës hibride gjatë muajve të fundit, duke i shtyrë kryeqytetet e BE-së të punojnë në heshtje për hartimin e planeve të reagimit ndaj një sulmi të madh hibrid, i cili mund të çojë edhe në humbjen e jetëve të qytetarëve evropianë. Një skenar i tillë duket gjithnjë e më i mundshëm. (A2 Televizion)