Në kryeqytetin sirian, Damask, emri i tij përmendet sot si simbol i një epoke të re pas më shumë se një dekade lufte. Por, rrugëtimi i Ahmed al-Sharaa drejt postit të Presidentit të Sirisë ka qenë një nga më të pazakontët dhe më kontradiktorët në historinë moderne të Lindjes së Mesme.
I njohur dikur me emrin Abu Mohammed al-Golani, ai ishte komandant i degës siriane të Al Kaedës gjatë luftës civile, shkruan A2. Për vite me radhë, al-Sharaa ishte një figurë e errët që shmangte publikun, edhe kur grupi i tij u bë forca më e fuqishme që luftonte për rrëzimin e Bashar al-Asadit. Në vitin 2016, ai mori një kthesë vendimtare: shpalli shkëputjen nga Al Kaeda dhe ndryshoi emrin e grupit të tij në Jabhat Fateh al-Sham, me synimin për të shmangur sulmet amerikane dhe ruse mbi territoret siriane: “Në përputhje me dëshirën e popullit të Damaskut dhe për të hedhur poshtë pretekstet që përdorën SHBA dhe Rusia për të bombarduar Sirinë, vendosëm të mos veprojmë më nën emrin Jabhat al-Nusra dhe të formojmë një grup të ri, Jabhat Fateh al-Sham”.
Pas vitit 2017, Rusia pretendoi se e kishte plagosur rëndë gjatë një sulmi ajror, por al-Sharaa mbijetoi dhe u shfaq sërish në skenën siriane, tashmë si lider i Hayat Tahrir al-Sham, një koalicion i fuqishëm rebelësh islamikë. Në fund të vitit 2024, rebelët e tij arritën të rrëzonin regjimin e Bashar al-Asadit, pas 13 vitesh lufte shkatërruese. Pamjet e tij duke hyrë në Xhaminë e Madhe të Damaskut, mes turmave që brohorisnin, bënë xhiron e botës: “Kjo fitore është një kapitull i ri në historinë e kombit islamik. Asadi ia dorëzoi Sirinë ambicieve iraniane, duke përhapur sektarizëm dhe korrupsion”.
Pas fitores, al-Sharaa u bë udhëheqësi “de facto” i Sirisë, duke pritur përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, të Turqisë dhe më pas të vendeve europiane. Në fund të janarit 2025, ai u shpall President i Sirisë për fazën kalimtare, me premtimin për një qeveri gjithëpërfshirëse që do të përfaqësonte të gjitha komunitetet: “Do të formojmë një qeveri tranzitore gjithëpërfshirëse që reflekton diversitetin e Sirisë dhe që do të ndërtojë institucione të reja”.
Në muajt që pasuan, Sharaa u takua me udhëheqës të rëndësishëm rajonalë, nga Turqia dhe Katari, te Arabia Saudite dhe Libani. Në mars 2025 ai firmosi një marrëveshje historike me Forcat Demokratike Siriane (SDF), duke i integruar ato në institucionet e reja shtetërore dhe duke shpallur një armëpushim të plotë në veri të vendit. Vetëm pak ditë më vonë, ai nënshkroi Deklaratën Kushtetuese, që përcaktonte se Sheriati do të mbetej bazë e ligjit, por duke garantuar lirinë e mendimit dhe shprehjes.
Në fund të marsit, ai shpalli qeverinë kalimtare me 23 ministra, duke e quajtur atë “qeveria e ndryshimit dhe e zhvillimit”. Në maj 2025, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi heqjen e të gjitha sanksioneve ndaj qeverisë së tij islamike dhe e ftoi për takim në Riad, në prani të princit saudit Mohammed bin Salman: “Vendimi për heqjen e sanksioneve ishte një akt historik dhe trimëror që lehtësoi vuajtjet e popullit dhe hapi rrugën për stabilitet në rajon”.
Por, paqja mbeti e brishtë. Në korrik, Izraeli kreu bombardime të fuqishme në Damask, duke goditur Ministrinë e Mbrojtjes dhe zonat pranë pallatit presidencial. Në një fjalim drejtuar pakicës druze, Sharaa deklaroi se mbrojtja e tyre ishte prioritet kombëtar dhe se Siria nuk do të futej në një luftë të hapur që do të rrezikonte unitetin e vendit: “Ne nuk i trembemi luftës, por nuk do ta bëjmë atë në kurriz të popullit tonë. Ne kemi kaluar gjithë jetën duke përballur sfida për të mbrojtur Sirinë.”
Në shtator, ai mori pjesë në Samitin Arabo-Islamik në Doha, ku dënoi ashpër sulmin izraelit që vrau udhëheqës të Hamasit në Katar. Më pas, në Nju Jork, ai mbajti fjalimin e parë të një presidenti sirian në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pas gati gjashtë dekadash, duke u zotuar për drejtësi dhe transparencë pas dhunës sektare në Latakia e Sweida: “Shteti sirian ka formuar komisione hetimore dhe i ka dhënë OKB-së leje për të hetuar. Premtoj të çoj para drejtësisë të gjithë ata që kanë duart e njollosura me gjakun e të pafajshmëve”.
Pak javë më vonë, ai u pa në një moment të pazakontë, duke luajtur basketboll me oficerë amerikanë, vetëm pak ditë para takimit historik me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ish-luftëtari i Al Kaedës, i kërkuar dikur me 10 milionë dollarë shpërblim nga SHBA, sot shihet si një partner i mundshëm për stabilitetin e Sirisë dhe të rajonit. Nga rebel i shpallur terrorist në lider që pritet në kryeqytetet e botës, Ahmed al-Sharaa mbetet figurë që ndan opinionin ndërkombëtar: për disa, simbol i një kthimi të Sirisë drejt paqes; për të tjerët, dëshmi e realpolitikës që fshin kufijtë mes ish-ekstremistëve dhe liderëve legjitimë.
Por, një gjë është e sigurt, takimi i tij me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë shënon një moment historik, jo vetëm për Sirinë, por për gjithë Lindjen e Mesme. (A2 Televizion)
