Siria i bashkohet koalicionit kundër ISIS, Trump heq sanksionet pas takimit me Al-Sharën: Djalë i fortë, por më pëlqen

Nga Erjon Dervishi
11 Nëntor 2025, 23:28 | Bota

Siria do t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar kundër grupit Shteti Islamik, një zhvillim që shënon një kthesë të madhe në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.

Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Donald Trump. Me këtë vendim, Siria bëhet vendi i 90-të që i bashkohet koalicionit global, i cili synon eliminimin e mbetjeve të grupit të vetëshpallur Shteti Islamik dhe frenimin e fluksit të militantëve të huaj drejt Lindjes së Mesme, shkruan A2.

Njoftimi erdhi në ditën kur Presidenti Trump priti në Shtëpinë e Bardhë Presidentin sirian Ahmed al-Sharaa, vizita e parë e një udhëheqësi sirian në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një intervistë për Special Report në Fox News, al-Sharaa e cilësoi takimin si fillimin e një epoke të re, ku Siria dhe SHBA do të bashkëpunojnë ngushtë. Trump ka shprehur mbështetje të hapur për al-Sharaa-n, i cili deri para pak kohësh ishte shpallur terrorist nga qeveria amerikane: “Epo, arrita një marrëveshje me të. Ai është një udhëheqës shumë i fortë. Ai vjen nga një vend me probleme dhe është një djalë i ashpër. Më pëlqeu. Shkoj mirë me të, me Presidentin e ri të Sirisë. Dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë Sirinë të suksesshme sepse ajo është pjesë e Lindjes së Mesme. Tani kemi paqe në Lindjen e Mesme. Siria është një pjesë shumë e madhe e Lindjes së Mesme, një pjesë shumë e rëndësishme. Nëse shikoni prapa, ata kishin mjekë, avokatë, kishin kaq shumë intelektualë të shkëlqyer. Ishte një vend i mrekullueshëm, me njerëz të shkëlqyer. Dhe ne duam ta shohim Sirinë të ketë sukses së bashku me pjesën tjetër të Lindjes së Mesme. Kështu që, kam besim se ai do të jetë në gjendje ta bëjë punën. Absolutisht”.

Pas takimit, një tjetër zyrtar i administratës konfirmoi se Departamenti i Thesarit, së bashku me Departamentin e Shtetit dhe atë të Tregtisë, do të njoftojnë masa të reja për lehtësimin e kufizimeve ekonomike ndaj Sirisë dhe për t’i dhënë qartësi ligjore investitorëve që synojnë të hyjnë në tregun sirian. Sipas këtyre masave, administrata amerikane do të pezullojë për 180 ditë Aktin e Cezarit, ligjin që prej vitit 2019 kishte vendosur sanksione të ashpra ndaj ish-regjimit sirian.

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve kishin qenë të ndërprera që prej vitit 2012, por tashmë Uashingtoni do të lejojë Sirinë të rihapë ambasadën e saj në kryeqytetin amerikan. Ky ishte takimi i tretë mes dy liderëve, pas atij në maj gjatë samitit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe një darke në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos